Vllaznisë thirrje qeverisë: Të veprojë si Kosova, futbolli duhet ndihmuar!
Vllaznia i është bashkuar nismës së klubeve të Kategorisë Superiore dhe FSHF-së për t’i bërë apel qeverisë shqiptare për të ndihmuar klubet dhe lojtarët në këtë periudhë të vështirë. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të klubit shkodran, kuqeblutë i kërkojnë kryeministrit Rama të ndjekë shembullin e Kosovës.
Deklarata e Vllaznisë
Prej tre javësh vendi ynë ndodhet në një situatë të pazakontë, e ardhur kjo nga pandemia që e ka pushtuar atë dhe mbarë Botën. Në kushte të tilla kuptohet që askush nuk e ka mendjen tek sporti, por në radhë të parë tek rikthimi i normalitetit të jetës. Por nga ana tjetër, duhet të mendojmë edhe për vazhdimësinë, por konstatojmë se pasojat e kësaj ndërprerje do të jenë të mëdha.
Ashtu si në mbarë botën sportive, edhe tek ne një gjë e tillë ka filluar të ndihet dhe sidomos tek klubet e futbolli, përfshi këtu edhe KF Vllazninë. Edhe për ne, është shumë e vështirë që të likujdohen detyrimet financiare mujor, sigurimet shoqërore, tatimi në burim dhe tatimi mbi fitimin, të cilat janë shifra jo të pakta në vlera.
Nga ana tjetër, futbollistët kanë filluar me të drejtë të kërkojnë rrogat sepse duan të mbajnë familjet e tyre ngaqë e kanë atë mjetin e vetëm të të ardhurave. Në këto kushte, jemi të bindur se futbolli ka nevojë për mbështetjen e shtetit. Qeveria duhet të garantojë që futbolli të mos dalë tërësisht i dëmtuar nga kjo situatë.
Dëmi që po shkaktohet nga ndalimi i çdo eventi, grumbullimi dhe stërvitje, është shkatërrues për sportin. Kosova dhe vende të tjera kanë marrë ndërkohë masat për mbështetjen e sportit dhe besojmë se këtë gjë duhet ta bëjë edhe Qeveria jonë. Mbetemi me shpresën që kjo kërkesë e jona të merret parasysh duke shpresuar në normalizimin sa më të shpejtë të situatës dhe rikthimin e normalitetit në jetën e shqiptarëve por njëkohësisht edhe në sport.