Vrioni: Kombëtarja motiv krenarie, debutimi me Juven një ëndërr e bërë realitet!
Vetëm një javë më parë ai debutoi me Juventusin në takimin e javës së fundit të Serie A ndaj Romës. Giacomo Vrioni hyri në lojë në minutën e 79-të, duke zëvendësuar Gonzalo Higuain dhe duke luajtur për rreth 12 minuta. Sulmuesi i talentuar shqiptar kurorëzoi një ëndërr të tijën, duke luajtur me kampionen e Italisë dhe duke marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut të nëntë radhazi për klubin e famshëm torinez.
Një kënaqësi e jashtëzakonshme për Vrionin, i cili njëkohësisht vendosi një rekord të veçantë, duke luajtur në tre kategori të ndryshme brenda një sezoni të vetëm. Përveç Serisë A, ai kishte luajtur më parë në Serie B dhe Serie C po këtë sezon.
E ardhmja duket e ndritur për 21-vjeçarin, i cili në tetor të vitit 2018 kishte debutuar me Kombëtaren A në ndeshjen ndaj Izraelit, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Në intervistën e dhënë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Vrioni tregon se si i hodhi hapat e parë në futboll, mbështetjen që ka marrë nga familja e deri te thirrja në Kombëtaren shqiptare
– Si lindi dëshira dhe pasioni yt për futbollin?
Që në moshë fare të vogël e kam pasur gjithmonë këtë pasion, i transmetuar tek unë nga im atë. Kam filluar duke luajtur me shokët e mi në rrugë, më pas erdhi shkolla e parë e futbollit dhe për të vazhduar me ekipet e moshave në Matelica, skuadër e qytetit tim, ku aktualisht luan edhe vëllai im. Me kalimin e kohës pasioni është transformuar në një punë të bukur.
– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
Sigurisht që figura më e rëndësishme për mua ka qenë ajo e babait tim: ai më ka qëndruar gjithmonë pranë qysh në fillimet e mia, kur më shoqëronte në seancat stërvitore, por edhe një mbështetje e vazhdueshme në rrugëtimin tim. Shikon gjithmonë ndeshjet e mia nga ekrani i televizorit dhe më mbështet në mënyrë të përditshme.
– Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare?
Më duhet të them që jam pritur menjëherë shumë mirë nga shokët e skuadrës në ekipin Kombëtar dhe jam shumë i kënaqur për këtë. Kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë, bëhet fjalë për një grup shumë të bashkuar. Kam pasur mundësi të njihem me trajnerin Reja, dëgjohemi shpesh në telefon. Është një trajner ekspert dhe beson tek unë.
– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja dhe debutimin me ngjyrat kuqezi?
Grumbullimi im i parë në skuadrën Kombëtare A ka qenë për mua pa asnjë diskutim një motiv i madh krenarie, kurorëzimi i një rrugëtimi që kishte filluar me përfaqësuesen U-21 të Shqipërisë, me të cilën kisha shënuar gol edhe në debutim. Kam pasur fatin të debutoj me skuadrën e parë në ndeshjen e Ligës së Kombeve në Izrael, një moment që do ta kujtoj përgjithmonë.
I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?
Ndonjëherë ndodh që i rishikoj ndeshjet. Jam shumë autokritik, kërkoj shumë nga vetja dhe kërkoj të evidentoj me kujdes aspektet në të cilat mund të përmirësohem, në mënyrë që të rritem si lojtar.
Pak ditë më parë erdhi debutimi me Juventusin në ndeshjen ndaj Romës. Çfarë përjetove në ato çaste? Çfarë mendove teksa hyre në fushën e lojës?
Ka qenë një emocion i papërshkrueshëm, kurorëzimi i një ëndrre. Kur më kanë thirrur për të hyrë në fushë nuk po përmbahesha nga emocionet dhe kisha një buzëqeshje të stampuar në fytyrë. Sapo zbrita në fushën e lojës, ndërkohë, kam menduar të bëj më të mirën për të ndihmuar skuadrën.
– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?
Të largohesh nga qyteti ku je rritur në moshë të vogël nuk është aspak e lehtë. Më mungon afeksioni i njerëzve, duke filluar nga familja, por edhe miqtë e mi. Për fatin e mirë ndonjëherë prindërit e mi vijnë të më takojnë dhe në përgjithësi mundohen gjithmonë që të mos na rëndojë largësia, duke përdorur telefonatat ose video-telefonatat.
– Çfarë synimi ke për të ardhmen?
Objektivi është ai për të shkuar sa më larg të jetë e mundur nëpërmjet punës së përditshme, si në nivel klubi ashtu edhe me fanellën e skuadrës Kombëtare. Për mua është një nder të luaj me Juventusin dhe të përfaqësoj Shqipërinë dhe do të bëj gjithçka është e mundur për të shpërblyer besimin e atyre njerëzve, të cilët më kanë mbështetur.