Wolfsburg shumë i fortë për Kukësin, fiton me “poker” në Air Albania (VIDEO)

Kukësi i jep fund aventurës Europiane pasi u mund 0-4 nga Wolfsburg-u, duke ju dorëzuar emrit të madh të kundërshtarit dhe duke humbur një penallti që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e një ndeshje që dhuroi gjithsesi shumë emocione.

Në “Air Albania Stadium”, Kukësi e nisi me frikë sfidën, por krijoi shansin e parë të vërtet të ndeshjes me Bruno Telushin nga një goditje dënimi. Pikërisht në momentin më të mirë të ekipit, tonë, Obanor i dhuron një top kundërshtarëve, duke bërë që Weghorst të realizojë. Skuadra gjermane nuk ndalet teksa do të shënonte edhe të dytin në minutën e 33-të me Lacroix, pas një pasiguri të Elezaj. Dy minuta më pas Kukësi kishte mundësinë e artë për të rihapur ndeshjen me penallti, por portieri Casteels do të ndalte Rrocën.

Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat, ndërkohë që në fraksionin e dytë ekipi i Gegës kërkoi të ndryshonte diçka duke aktivizuar Gashin, Gavazaj dhe Cooper. Gjermanët ulën ndjeshëm ritmin, por do të godisnin sërish verilindorët me një kundërsulm të shpejt. Steffen shërben më së miri për Weghorst që e ka si një lojë fëmijësh dërgimin e sferës në rrjetë. Në fundin e kohës së rregullt, kishte kohë edhe për Admir Mehmedin, i cili shënoi emrin e tij në listën e shënuesve.

/Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP