Xavi nis spastrimet te Barcelona, ja 5 futbollistët që pritet të largohen në janar
Xavi kërkon të rindërtojë Barcelonën e tij. Sfidë e re është gjetja e përforcimeve të duhura, por për ta bërë këtë duhet të çlirojë organikën nga disa elementë që nuk shihen si kontribues të përshtatshëm për të ardhmen. 5 futbollistë Xavi nuk i ka në planet e tij. I pari që duhet të gjejë një destinacion të ri është Luuk de Jong, i huazuar në verë nga Sevilla, por që rezultoi dështim që në muajt e parë, aq sa tani stafi i Barcelonës mezi pret ta largojë, për të kursyer pagën që merr. Edhe një lojtar i ri si Ferran Jutgla është në një pozicion më të favorshëm në hierarki.
Serginho Dest u ble nga Ajaxi me idenë se do të ishte Dani Alvesi i ardhshëm, por performanca e tij me ulje-ngritje, edhe nën drejtimin e Koemanit, tregoi se nuk është i atij niveli që pritej. Me emërimin e Xavit, minutat e tij në fushë janë reduktuar më shumë, kështu që në janar zgjidhja më e mirë për të do të ishte huazimi ose shitja përfundimtare për 15 deri 20 milionë euro.
Yusuf Demir gjithashtu ka rezultuar një zhgënjim Nëse luan edhe 10 ndeshje me Barcelonën, klubi katalan do të duhet t’i paguajë 10 milionë euro Rapidit të Vjenës, që zotëron kartonin e tij. Opsioni më i mirë është ndërprerja e huazimit që në janar. Philippe Coutinho është rasti më flagrant, lojtari me pagën më të lartë në skuadër, gati 22 milionë euro dhe nuk është titullar. Me një kontratë deri në vitin 2023, tani sulmuesi brazilian është problem serioz për klubin.
Samuel Umtiti është viktimë e gabimeve të tij. Nga një prej figurave më të rëndësishme në skuadër, ai është aktualisht qendërmbrojtësi i fundit në hierarki. Barcelona mezi pret të ndërpresë kontratën me francezin, dhe një gjë e tillë mund të ndodhë që në janar.
KOHA JONË SONDAZH

