Xhaka sherr me tifozët: Kush më fyen familjen, dua takim ballë për ballë me ta!

Të jesh vazhdimisht në qendër të vëmendjes nuk është e lehtë, veçanërisht nëse ke një karakter shpërthyes si Granit Xhaka. Në një moment kur Arsenali nuk po përjeton periudhën më të mirë, tifozët mund të reagojnë keq dhe të kritikojnë rëndë në rrjetet sociale. Në përgjithësi do të ishte e këshillueshme që t’u shmangesh dhe t’i lësh të vazhdojnë. Mesfushori me origjinë shqiptare nuk është nga ata që i lënë gjërat që të kalojnë kaq lehtë. Ai u është përgjigjur të gjitha ofendimeve, madje duke kërkuar edhe takim … ballë për ballë.

PROBLEMET – Lojtari zviceran me origjinë shqiptare njihet për temperamentin e tij të një djali të fortë. Nuk është hera e parë që ka probleme me tifozët e Arsenalit. Më parë ka qenë në qendër të mediave sociale pasi hoqi fanellën dhe e hodhi në tokë në një zëvendësim të kryer në tetor 2019. Tani problemet kanë filluar përsëri dhe, siç raporton Goal.com , Xhaka është shprehur se ata që fyejnë familjen e tij në rrjetet sociale nuk janë tifozë të vërtetë, ndaj dhe ka kërkuar takim ballë për ballë me ta. Arteta i hoqi shiritin e kapitenit pas atij incidenti, por e bindi mesfushorin që të qëndronte në Londër pavarësisht ofertave shumë të mira që kishte nga Gjermania. Megjithatë, qëndrimi i tij nuk ndihmoi në forcimin e marrëdhënies me tifozët.

Sot në një reagim që ka bërë para ndeshjes kundër Benfica-s, ai ka shpjeguar situatën e tij. “Nëse do t’i tregoja familjes sime atë që më shkruanin, do të duhej të mbyllja rrjetet sociale. E kam thënë më parë dhe do ta them përsëri: ajo që ndodh në fushë më përket vetëm mua, unë jam ai që luaj në fushë. Jo gruaja ime, as djali im, as familja ime. Pra, nëse doni të kritikoni dikë, mund ta bëni: por më kritikoni mua si person, si lojtar. Mos përfshini njerëz të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me punën time. Do të doja të kisha takim ballë për ballë me ta … “. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP