Yamal është lojtari më i urryer në futbollin spanjoll
Rritja e rasteve të racizmit në futbollin spanjoll po kthehet në një plagë të hapur pavarësisht fushatave dhe thirrjeve për respekt. Sipas një raporti të publikuar nga Observatori Iberik për Ksenofobinë dhe cituar nga El Pais, urrejtja me bazë racore po përhapet si në stadiume ashtu edhe në rrjetet sociale.
Analiza e institucionit nxori në pah një fakt tronditës: Lamine Yamal, ylli i ri i Barcelonës dhe protagonist i Europianit të fundit, ka marrë 60 për qind të të gjitha mesazheve raciste të monitoruara në internet. Një shifër që tejkalon më shumë se dyfish sulmet ndaj Rodrigo-s dhe që lë pas edhe emra të tjerë të ekspozuar ndaj fyerjeve racore si Mbappé, Balde, Brahim Díaz apo Inaki Williams.
Ndërkohë që termat poshtërues vazhdojnë të qarkullojnë online, kujtesa e rastit të Lewis Hamilton në 2008, apo ofendimeve të rënda ndaj Samuel Eto’o në 2006, dëshmon se fenomeni është i rrënjosur prej vitesh. Përpjekjet e lojtarëve për t’iu kundërvënë diskriminimit kanë lënë gjurmë, si rasti i Dani Alvesit që iu përgjigj provokimit duke ngrënë bananen e hedhur nga tribuna, apo ndërprerja e ndeshjes Valladolid–Real Madrid në 2022 pas protestës së Vinícius.
Për herë të parë në historinë e futbollit spanjoll, tifozë janë dënuar nga gjykatat për krime urrejtjeje, një precedent që synon të frenojë përshkallëzimin e fenomenit. Megjithatë, raporti i ri tregon se rruga drejt një futbolli të pastër nga diskriminimi mbetet e gjatë.
KOHA JONË SONDAZH

