Ylli i PSG, Achraf Hakimi rrezikon 15 vite burg
Mbrojtësi i Paris Saint-Germain, Achraf Hakimi, është sërish në qendër të vëmendjes për shkak të një çështjeje ligjore të nisur në mars të vitit 2023. Prokuroria franceze ka propozuar ngritjen e një padie penale ndaj futbollistit, i cili dyshohet për përfshirje në një rast përdhunimi.
Sipas hetimeve, rasti i dyshuar ka ndodhur në shkurt 2023, kur një 24-vjeçare pretendon se është detyruar të kryejë një akt seksual pa dëshirën e saj nga Hakimi. Ajo e raportoi ngjarjen në polici menjëherë, megjithatë nuk bëri kallëzim zyrtar në atë moment. Më vonë, ajo ka kontaktuar prokurorët përmes mesazheve, duke përshkruar në detaje ngjarjen që thotë se ka përjetuar.
Aktualisht, hetuesi i çështjes pritet të vendosë nëse rasti do të kalojë për gjykim apo do të mbyllet. Nëse procedimi penal nis dhe Hakimi shpallet fajtor, ai mund të përballet me një dënim deri në 15 vite burg.
Nga ana e tij, lojtari ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar si të pavërteta dhe si pjesë e një përpjekjeje për shantazh financiar.
KOHA JONË SONDAZH

