Zbulohet dita kur do të luhet derbi mes Partizanit dhe Tiranës
Kategoria Superiore nuk ndalet, teksa të premten në mbrëmje vjen një tjetër super duel mes Partizanit dhe Tiranës. Edhe pse do të luhet pa tifozë për shkak të koronavirusit, spektakli është i garantuar duke filluar nga ora 20:45.
Gjithashtu është përcaktuar edhe stadiumi ku do të luhet derbi i 4-t i kryeqytetit për këtë sezon, nuk do të jetë Selman Stërmasi por impianti i ri “Air Albania”. Një sezon më parë, pikërisht më 12 maj 2019, me fitoren 2-1 në derbin e fundit Partizani i drejtuar nga trajneri Skënder Gega arriti që matematikisht të kthente titullin kampion pas 26 viteve pritje.
Me humbjen e djeshme ndaj Kukësit, bardheblutë kanë humbur mundësinë që të “hakmerren” ndaj të kuqve që të shpalleshin matematikisht kampionë në derbi. Partizani nga ana tjetër kërkon që të marrë hak për humbjen e 28 shkurtit 5-1. Një sukses i mundshëm i tyre do të rihapte totalisht kampionatin, duke e bërë edhe më interesant.