Zbulohet lista e Guardiolës, City do të shpenzojë 300 milionë euro merkaton e verës

Edhe pse është përfolur kohët e fundit për një largim të Pep Guardiolës nga Manchester City sezonin e ardhshëm, vetë trajneri duket se nuk ka ndërmend që të fillojë një aventurë të re. Ideja e tij është që të respektojë kontratën që ka me klubin anglez. Mediat në Angli raportojnë se ai ka gati një listë me përforcime për sezonin e ardhshëm që arrin shifrën e 300 milionë eurove.

Po cilët janë emrat që kërkon strategu spanjoll?

Pau Torres nga Villareal dhe Ruben Dias nga Benfica janë dy dëshirat e para. Për spanjollin do të duhen 50 milionë euro sa është edhe klauzola e tij, ndërkohë që portugezi kushton disi më shumë, 66 milionë euro. Në krahun e majtë synohet Ben Chilwell, teksa 23 vjeçari britanik vlerësohet nga Leicester me 50 milionë euro.

Tërheqja e David Silvës ndërkohë do të jetë një problem i madh për “qytetarët” që kanë piketuar edhe zëvendësuesin e tij. Bëhet fjalë për Isco-n nga Reali, teksa Perez nuk ka ndërmend të heqë dorë prej tij pa 60 milionë euro. Leroy Sane është lojtari tjetër që pritet të largohet nga City, por zëvendësuesi i tij është projektuar Adama Traore.

“Bisha” e Wolves vlerësohet me një çmim shumë të kripur: 82 milionë euro. Edhe në sulm mund të duhet një ndërhyrje duke marrë në konsideratë moshën e Agueros, duke dashur një tjetër investim që shkon në 60-70 milionë euro. Në total, Manchester City duhet të bëjë gati 300 milionë euro për Guardiolën në merkato. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP