Zbulohet plani i Allegrit te Juvja, Locatelli dhe më pas një bomber!

Massimiliano Allegri ka ide të qarta për skuadrën që dëshiron të ketë në dispozicion në sezonin e ardhshëm. Synimi parësor është kompletimi i repartit të mesfushës, teksa objektivi kryesor për momentin është Manuel Locatelli. Pas dy sezoneve mjaft të mira me Sassuolon, por edhe ndeshjeve interesante me Italinë e Mancinit, Locatelli ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, ndaj klubi emilian ka vënë një çmim prej 40 milionë eurosh për kartonin e tij.

Juventus nuk është gati të paguajë kaq shumë në këto momente, por në ditët në vijim pritet një takim mes drejtuesve të të dy klubeve, ku bardhezinjtë do të provojnë të ofrojnë 25 milionë euro, plus disa lojtarë të rinj si Fagioli, Frabotta, Rovella e Rafia. Vetë futbollisti duke folur për mediat italiane është shprehur se do të vendosë pas Europianit, por bardhezinjtë e kanë me nxitim, ndaj dhe vështirë se do të presin aq gjatë.

Sa i përket sulmit, së fundi ka dalë në skenë opsioni për të marrë në huazim braziliani Gabriel Jesus, por kjo është një pistë mjaft e komplikuar, ndaj bardhezinjtë po shqyrtojnë opsionet e tjera, të cilët i ndjekin prej muajsh. Kështu i pari është Milik, që mund të largohet nga Marseille për një shifër prej 12 milionë eurosh, por dëmtimi në prag të Kampionatit Europian dhe një gjendje fizike që lë për të dëshiruar, kanë bërë që bardhezinjtë të stepen.

Një opsion mjaft interesant është edhe Edin Dzeko, i cili edhe sezonin e kaluar ishte shumë pranë, por në fund transferimi nuk u krye.  Vetë Allegri për sulmin preferon Mauro Icardin, por kartoni i argjentinasit kushton jo pak dhe e vetmja mënyrë për të shkuar te ish kapiteni i Interit, është një marrëveshje shkëmbimi me Cristiano Ronaldon.

SHKARKO APP