Ze Maria kundër shitjes së Dokës, kërkon t’i mësojë “sekretet” e rolit brenda një viti
Burime pranë brazilianit zbulojnë për “Panorama Sport” se kërkon ta mbajë talentin në ekip për të paktën një sezon. Tekniku pretendon që mund t’i mësojë lojtarit të linjës së djathtë gjithçka di për një vit. Sipas teknikut, një edicion do mjaftonte që mbrojtësi të rritej profesionalisht, pasi veç talentit për të pretenduar majat e futbollit europian duhet edhe shumë punë. Dhe me moshën që Doka ka, sigurisht që ka ende vend për të mësuar.
Gjithkush mund të pyesë: pse pikërisht Doka?! Por, përgjigjja është shumë e thjeshtë: roli. Kush e ka ndjekur Ze Marian si futbollist, te Brazili apo edhe Interi, e di që ai luante si mbrojtës i djathtë. Edhe pse ndonjëherë bënte mesfushorin e djathtë apo dhe shkatërruesin, pozicioni i tij natyral ishte pikërisht defensiva. Ky është një motiv më shumë pse Ze Maria nuk do që i riu të largohet gjatë kësaj vere, pasi jo vetëm pret që ta perfeksionojë si futbollist, por edhe t’i mësojë sekretet e rolit. Kujtojmë që gjatë konferencës së dhënë për mediat para ndeshjes me Makabi Tel Aviv, braziliani deklaroi hapur se ishte kundër largimit të Dokës.
“Flitet shumë për merkaton, por unë u kam kërkuar lojtarëve që të qëndrojnë këtu. Disa të rinjve, zërat e merkatos nuk u bëjnë mirë. Po ju marr si shembull Dokën, për të cilin flitet se mund të shkojë te ndonjë klub i madh… Janë lojtarë të rinj, për të cilët shpresoj që të qëndrojnë me ne.
Në karrierën time kam parë shumë futbollistë të talentuar që e kanë çuar dëm karrierën sepse kanë dashur të hedhin hapa të mëdhenj pa i studiuar mirë. Ndaj unë i kërkoj Dokës dhe të tjerëve që t’i marrin gjërat hap pas hapi dhe të qëndrojnë këtu”, pat thënë Ze Maria dhe duket që këtë ide ua ka përcjellë edhe drejtuesve. E, megjithatë, në klub nuk kanë ndër mend që të tërhiqen, ndaj po presin ofertën më të mirë për ta shitur 20-vjeçarin dhe destinacioni pritet të jetë Kroacia./panoramasport
KOHA JONË SONDAZH

