“Zgjohet” Milani i Fonseca-s, fitore spektakolare në derbin ndaj Interit (VIDEO)

Në momentin më të vështirë të sezonit Milani “zgjohet” dhe merr një fitore spektakolare 2-1 ndaj Interit në Derbin e Madoninës. Skuadra e Fonseca-s për herë të parë këtë sezon zhvillon një ndeshje shumë të mirë duke marrë dhe pikët e plota.

Në minutën e 10-të, Pulisic shënoi një gol shumë të bukur me një aksion personal duke dribluar thuajse gjithë mbrojtjen zikaltër. Kundërpërgjigja e zikaltërve erdhi në mesin e pjesës së parë me Dimarcon që barazoi me një të majtë të saktë brenda zonës nga një pozicion i prirët.

Inter luajti më mirë në 45 minutat e para, ndërkohë që në të dytën ishte Milan që rrezikoi në disa raste, por Sommer i mohoi gola të sigurt. Gjithsesi një minutë nga fundi i kohës së rregullt, Gabbia shënoi me kokë golin e fitores. Tashmë të dyja skuadrat kanë nga 8 pikë pas 5 javësh. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP