Zidane: Absurde të mendosh një dënim të mundshëm nga UEFA
Vendi i parë në La Liga është vetëm dy pikë larg, ndërkohë që Real madrid fillimisht duhet të mendojë për gjysmëfinalen e Champions kundër Chelsea-t. Trajneri Zinedine Zidane nuk mundi të shmangte edhe një koment për Superligën dhe dënimin e mundshëm për shkak të krijimit të Superligës.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe duam të paraqitemi sa më mirë. Nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Chelsea është një skuadër që sulmon dhe mbron shumë mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm në mbrojtje dhe të shfaqemi të rrezikshëm në ofensivë. Duhet versioni më i mirë i Realit nesër në mbrëmje. Nuk zgjedhim mes kampionatit dhe Champions League, jemi në garë në të dy kompeticionet. Kemi kaluar shumë vështirësi, por ia kemi dalë t’i lëmë pas krahëve problemet e hasura.
Na pret një muaj intensiv, e qartë që do të kemi probleme si ndaj Betis, por duhet të japim gjithçka në fushën e blertë. Eksperienca? Nuk mendoj se ndikon fakti që kemi më shumë eksperiencë se Chelsea, në futboll ka rëndësi vetëm e tashmja. Ata e kanë merituar kualifikimin në gjysmëfinale, janë një ekip me eksperiencë në këto përballje. Hazard? Nuk e shoh në vështirësi, të shtunën më pëlqeu. Jemi të kënaqur që është rikthyer, do të japë kontributin e tij në ndeshjet që kanë mbetur. Kroos do të luajë, Mendy jo.
Super League? Është absurde të mendosh se mund të na penalizojnë, aq më keq të na përjashtojnë nga Champions League. Të gjithëd duan të na shohin aty. Po flitet shumë në lidhje me këtë çështje, por unë e kam mendjen vetëm te fusha dhe dueli me Chelsea-n“, deklaroi Zidane para mediave.