Zidane: Te Reali isha gjithmonë në shërbim të futbollistëve, u jepnim besim dhe siguri!
Zinedine Zidane, trajneri që ka shkruar histori me dy cikle të jashtëzakonshme në stolin e Real Madridit, ka rikujtuar së fundmi përvojën e tij te “Los Blancos” dhe sekretin e sukseseve të mëdha.
Në një intervistë për kanalin në YouTube të Hamidou Msaidie, bashkëpunëtor i tij i afërt në Madrid, tekniku francez theksoi rëndësinë e marrëdhënies me lojtarët.
“Te Real Madridi ne ishim gjithmonë në shërbim të futbollistëve. Ky është elementi kryesor për të ndërtuar një grup të fortë: të jesh pranë lojtarit dhe ta mbështesësh realisht. Nëse nuk e kupton këtë, është e vështirë të zgjasësh në këtë profesion”, u shpreh Zidane.
Ai shtoi se respekti dhe besimi i ndërsjellë janë thelbësore për suksesin e një skuadre. Sipas tij, lojtarët duhet të besojnë te idetë e trajnerit, nga stërvitja deri te çdo vendim tjetër.
“Ne u dhamë shumë besim dhe siguri. Kur një lojtar ndihet i motivuar, i lumtur dhe konkurrues, fitoret vijnë natyrshëm”, përfundoi Zidane, duke iu referuar edhe tre triumfeve radhazi në Ligën e Kampionëve.
KOHA JONË SONDAZH

