Zv/kryeministrja Balluku: Në shtator aplikimi pranë Formula 1 për datën e garës së parë

Në Elbasan do të ndërtohet automotoparku i parë në Shqipëri për të mundësuar edhe zhvillimin e garave ndërkombëtare si ato të Formula 1 në vendin tonë. Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se në muajin shtator do të aplikohet për të pasur datën e garës së parë automotorrike më pistën e Elbasanit.

“Pasi kemi krijuar të gjitha kushtet, në shtator futemi në fazën zyrtare të aplikimit për të pasur datën zyrtare të eventit”, u shpreh ajo gjatë inspektimit të punime për ndërtimin e Drejtorisë rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Mat, ku i pranishëm ishte edhe kreu i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhe.

Zv/kryeministrja Balluku siguroi se infrastruktura që është duke u ndërtuar në zonën e pistës, që është pjesë e korridorit të 8-të, do të garantojë me siguri mbështetjen për këtë aplikim.

“Autostrada Elbasan-Qafë Thanë, që do të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me Bullgarinë, do t’i japë edhe këtij aplikimi një peshë tjetër. Tashmë ka nisur puna edhe për projektimin e bajpasit të Elbasanit, i cili e nxjerr në Labinot Fushë të gjithë trafikun”, deklaroi Balluku.

Cirkuiti që pritet të ndërtohet sipas standardeve të FIA-s, pritet të jetë edhe një qendër indoor dhe outdoor, muzeu Retro, Autodromi dhe Kartodromi. Pjesë e projektit është dhe Akademia Motosporti dhe Akademia e Edukimit mbi Sigurinë Rrugore, ndërsa do të ketë në përbërje edhe poligone profesionale testimi, dhe zona sportive mjetesh ajrore ultra të lehta.

SHKARKO APP