ZYRTARE/ Ishte heroi ndaj Anderlecht, klubi suedez blindon Berishën deri në vitin 2027
Portieri i Kombëtares sonë, Etrit Berisha, ka zgjatur bashkëpunimin me klubin suedez BK Häcken deri në vitin 2027. Lajmi vjen vetëm pak orë pasi Berisha luajti një rol vendimtar në kualifikimin historik të skuadrës ndaj Anderlecht në Europa League, si dhe pasi ndihmoi ekipin të fitonte Kupën e Suedisë në fund të muajit maj.
“Ndjehem shumë mirë që kam rinovuar me klubin. Gjatë këtyre muajve kemi bërë shumë gjëra të mira. Kemi një skuadër me potencial dhe mendoj se mund të arrijmë edhe më shumë në të ardhmen,” tha Berisha pas nënshkrimit të kontratës së re.
Berisha, i cili iu bashkua klubit më 11 prill, ka impresionuar me paraqitjet e tij dhe shprehu kënaqësinë për eksperiencën e tij te klubi suedez: “Kur erdha këtu, u befasova pozitivisht nga gjithçka: infrastruktura, lojtarët, stafi. Është një ambient shumë i mirë për të punuar dhe për të luajtur futboll.”
Me 81 ndeshje me fanellën e Shqipërisë, portieri 35-vjeçar u shpreh se synon të vazhdojë të ndihmojë BK Häcken të arrijë suksese të tjera në vitet në vijim.
“Këto muaj kanë qenë shumë të këndshëm. Finalja e Kupës është momenti më i bukur deri tani. Fitorja në Kupën e Suedisë është diçka që nuk do ta harrojmë. Kur luajmë si ekip, jemi shumë të fortë. Po bëjmë ndeshje të mira dhe jemi ende në garat europiane, kemi shumë mundësi për të ecur përpara dhe për të shijuar futbollin tonë.” /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

