ZYRTARE/ Memelli largohet nga drejtimi i Skënderbeut, pranohet dorëheqja
Migen Memelli nuk është më trajner i Skënderbeut. Humbja ndaj Dinamos ka rezultuar vendimtare për fatin e tij, teksa klubi korçar ka pranuar dorëheqjen.
Pas disa bisedimeve, të dy palët kanë zgjedhur të ndërpresin këtu bashkëpunimin mes tyre. Që pas disfatës me kryeqytetasit, tekniku pogradecar u shpreh se do të bisedojë me klubin për të ardhmen e tij, ndërsa theksoi se nuk kërkon të bëhet barrë për tifozët dhe ekipin.
Skënderbeu pozicionohet në vendin e fundit të tabelës me 17 pikë, 5 larg Kastriotit të vendit të nëntë dhe 6 nga Dinamo i vendit të tetë.