Zyrtare, Milani ndërron kurs! Shkarkon Xhampaolon dhe e falënderon për punën e bërë
Pritej që ditën e djeshme, por divorci mes Milanit dhe Marko Xhampaolos ka ardhur vetëm pak çaste më parë, me njoftimin e bërë nga vetë klubi kuqezi, që vendos të shkëpusë marrëdhëniet me trajnerin e parë pas vetëm 7 javësh kampionat, duke e bërë teknikun e lindur në Belizona, të parin në historinë e tij shumëvjeçare që shkarkohet kaq herët.
“AC Milan komunikon se ka shkarkuar nga detyra e trajnerit të skuadrës së parë Marko Xhampaolon. Klubi dëshiron të falënderojë Markon për punën e kryer deri më tani dhe i uron sukseset më të mira profesionale,” shkruan skuadra kuqezi. Aktualisht pritet njoftimi i radhës, ai i emërmit të Stefano Piolit në krye të ekipit, i cili fitoi balotazhin me Luciano Spaletin.