ZYRTARE/ Modric është lojtar i Milanit, firmos për një sezon
Pas një dite intensive në Milano dhe kryerjes së vizitave mjekësore, ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar nga klubi kuqezi: Luka Modrić është tashmë një lojtar i Milanit. Mesfushori kroat ka firmosur një kontratë deri më 30 qershor 2026, me mundësi zgjatjeje edhe për një vit tjetër, deri më 30 qershor 2027.
Në njoftimin zyrtar, klubi shkruan:
“AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë se Luka Modrić ka firmosur një kontratë me klubin që zgjat deri më 30 qershor 2026, me opsion për zgjatje deri në qershor 2027.”
Modrić, i lindur në Zarë më 9 shtator 1985, e nisi karrierën e tij si profesionist në moshën 16-vjeçare me ekipin e të rinjve të Dinamo Zagrebit. Eksperiencat me huazim në Zrinjski Mostar (Bosnje) dhe NK Inter Zaprešić (Kroaci) kontribuan në formimin e tij si lojtar. Në vitin 2004, ai u rikthye te Dinamo Zagreb, ku në katër sezone zhvilloi 128 ndeshje dhe realizoi 32 gola, duke fituar tre kampionate, dy Kupa dhe një Superkupë Kroacie.
Në verën e vitit 2008, Modrić u transferua në Premier League te Tottenham Hotspur, ku luajti 159 ndeshje dhe shënoi 17 gola. Në vitin 2012, ai bëri hapin e madh drejt Real Madridit. Në 13 vite me “Los Blancos”, ai grumbulloi 597 paraqitje dhe realizoi 43 gola, duke u bërë lojtari më i titulluar në historinë e klubit spanjoll. Lista e trofeve përfshin: 6 Champions League, 5 Kupa Bote për Klube, 1 Kupë Interkontinentale, 5 Superkupa Europe, 4 tituj të La Ligës, 2 Kupa të Mbretit dhe 5 Superkupa të Spanjës.
Në vitin 2018, Luka Modrić fitoi Topin e Artë, një nga vlerësimet më të larta individuale në botën e futbollit. Ai është gjithashtu kapiteni i kombëtares së Kroacisë dhe rekordmeni absolut për numrin e ndeshjeve me fanellën kuqezi: 188 ndeshje dhe 28 gola.
Në aventurën e tij të re me Milanin, Modrić do të mbajë fanellën me numrin 14.
KOHA JONË SONDAZH

