ZYRTARE/ Tirana zgjedh trajnerin e ri, ja për kë bëhet fjalë
Tirana ka zyrtarizuar këtë të mërkurë emërimin e trajnerit të ri. Klubi bardheblu i ka besuar drejtimin e pankinës teknikut Vangjel Mile, i cili ka firmosur një kontratë të vlefshme për tre sezone.
Mile, 39 vjeç, është një figurë e njohur në ambientet e klubit, pasi më parë ka qenë pjesë e strukturave drejtuese të Akademisë së Tiranës, ku ka shërbyer si drejtor teknik dhe ka kontribuar në zhvillimin e shumë talenteve të rinj.
Emërimi i tij vjen pas largimit të Bledi Shkëmbit dhe në një moment kur skuadra vjen nga një sezon i vështirë, me ambicie të qarta për rikthim në majat e futbollit shqiptar.
Në njoftimin zyrtar, KF Tirana thekson se Mile sjell një qasje moderne në drejtimin e skuadrës, me fokus te disiplinimi taktik, zhvillimi i frymës kolektive dhe integrimi i të rinjve në ekipin e parë – një filozofi që përputhet me identitetin historik të klubit më të titulluar në vend.
“E ndjej veten pjesë të kësaj shtëpie dhe e marr këtë përgjegjësi me përulësi, por edhe me shumë besim. Njoh vlerat dhe pritshmëritë e këtij klubi dhe jam i përkushtuar të punoj çdo ditë për të çuar përpara emrin dhe objektivat e KF Tiranës,” – u shpreh Mile në prezantimin e tij.
KOHA JONË SONDAZH

