Maniaku i “fut duart” të miturës në sy të të atit, përfitoi nga…
Një 39-vjeçar ka përfituar nga shoqëria e fqinjit, për t’i ngacmuar seksualisht vajzën e tij të mitur. Ky veprim i bërë nga shtetasi Lulzim B., është kuptuar menjëherë nga i ati i vajzës së ngacmuar, i cili ka bërë edhe denoncimin në Polici. 39-vjeçari është deklaruar fajtor nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet burg, për veprën penale të “Ngacmimit seksual”. Në vendimin e Gjykatës, që e disponon edhe “Shekulli”, thuhet se Lulzim B., e ka kryer këtë vepër penale në banesën e 14-vjeçares dhe në sytë e gjithë familjarëve të saj në kohën kur ishte shkëputur energjia elektrike.
Ngjarja
Në datën 14 dhjetor të vitit të shkuar mësohet se vajza 14-vjeçare e shoqëruar nga familja e saj dhe një psikolog ka kallëzuar në Polici 39-vjeçarin, Lulzim B., se e kishte ngacmuar seksualisht. Sipas kallëzueses, ajo banon me prindërit dhe motrën e saj më të vogël në një banesë në afërsi të konviktit të shkollës së Hoteleri Turizëm, në Tiranë. Në po të njëjtin pallat, banon prej vitesh edhe fqinji i tyre, i pandehuri Lulzim B., i divorcuar.
Rreth orëve të mbrëmjes së datës 14 dhjetor të vitit të shkuar, i pandehuri ka shkuar për vizitë tek familja e kallëzueses, ku në atë kohë kanë qenë edhe i ati i saj. Në kohën që i pandehuri ka shkuar për vizitë në familjen e të miturës, në atë banesë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, nuk ka pasur drita dhe ajo familje ndriçohej me qiri.
Ndodhur në këto kushte, i pandehuri është ulur pranë vajzës së mitur të fqinjit të tij, ndërsa afër tyre kanë qenë ulur edhe i ati i saj, si edhe motra më e vogël. Pikërisht në këto rrethana, i pandehuri ndërsa fliste me të atin e saj, ai kryente me kallëzuesen sjellje dhe veprime me natyrë seksuale, të tilla si futjen e duarve midis këmbëve apo edhe në pjesë intime të trupit të saj, duke i fërkuar ato.
Ndodhur në këtë gjendje, e dëmtuara ka tentuar të pengojë të pandehurin në sjelljet e tij, veprime këto të cilat janë vënë re nga motra e saj e vogël, si edhe i ati gjithashtu. Ky i fundit, në gjendje të befasuar dhe i tronditur nga sjelljet e të pandehurit është konfliktuar fizikisht me të duke e nxjerrë nga banesa, si edhe duke u drejtuar me të bijën e tij në organet policore për të paraqitur kallëzimin penal ndaj të pandehurit.
Dëshmitë
14-vjeçarja e abuzuar, ka deklaruar para grupit hetimor skemën e ngacmimit seksual nga ana e 39-vjeçarit, por edhe faktin se i pandehuri edhe në raste të tjera ka shfaqur ndaj saj sjellje të tilla me natyrë seksuale, denigruese dhe poshtëruese ndaj saj. Por ajo ka pasur turp t’ju tregojë prindërve të saj.
Ndërkohë, motra e vogël e të dëmtuarës është shprehur se: Lulzim B., kur erdhi në shtëpinë tonë dhe u ul pranë motrës, unë pashë në kushtet e dritës së qiririt që ai po i fuste duart motrës midis këmbeve dhe po e ngacmonte. Ndërsa motra mundohej t’ia hiqte dorën nga vendi ku po ja mbante. Në atë kohë unë e kam pështyrë atë dhe i kam thënë babit, i cili u ngrit menjëherë dhe e nxori atë me forcë nga dhoma dhe lajmëroi policinë”./Shekulli/
KOHA JONË SONDAZH

