Poroshenko mbron zhvendosjen e biznesit në “parajsa fiskale”

Një nga emrat e udhëheqësve botërorë të përmendur në “dokumentat e Panamasë” është edhe Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko. Ai tha sot se llogaritë e tij në të ashtuquajturat “parajsa fiskale” janë transparente dhe jo për të paguar më pak taksa, pasi informacionet e lidhura me biznesin e tij u bënë publike gjatë fundjavës.

Presidenti Poroshenko reagoi pasi shërbimi fiskal i vendit tha se po shqyrtonte dokumentat që e lidhnin atë me depozitat në “parajsat fiskale” që ishin përfshirë në “dokmumentat e Panamasë”.

Ai u tha gazetarëve në Tokio sot se e kishte krijuar trustin jashtë vendit për të ndarë interesat e tij të biznesit dhe të politikës, pasi u bë president dhe se veprimet në këtë drejtim ishin kryer me transparencë të plotë:

“Ishte shumë transparente dhe një praktikë fare e zakonshme. Kjo nuk është bërë për të minimizuar taksat, as për t’u mbajtur sekret. Asgjë e tillë. Të gjitha këto kanë dalë në median ukrainase dhe janë të regjistruara në emrin tim”, tha ai në një konferencë për shtyp të organizuar nga Klubi Kombëtar i Shtypit i Japonisë.

Sipas Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë, presidenti Poroshenko krijoi një kompani jashtë vendit, në Ishujt Britanikë “Virgin”  ku zhvendosi biznesin e tij të çokollatave, Roshen në gusht 2014 në një moment kur luftimet mes Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë kishin arritur kulmin:

“Kompania nuk kishte hapur llogari bankare, nuk kishte marrë asnjë qindarkë nga Ukraina. I vetmi objektiv i saj ishte një ndarje transparente e biznesit të Presidentit të Ukrainës nga çdo ndikim politik”, – tha zoti Poroshenko.

Ligjvënësit, përfshirë disa nga fraksioni i tij politik bënë thirrje për krijimin e një komisioni parlamentar për të hetuar akuzat, që u shfaqën mes “dokumentave të Panamasë” që janë marrë nga firma ligjore Mossack Fonseca me qendër në Panama.

Sipas ligjit ukrainas, vetëm parlamenti mund të ndërmarrë një hetim për një President në detyrë.

SHKARKO APP