Reforma në drejtësi, 38 deputetë nuk i votuan të gjitha ndryshimet
Nuk ka kaluar gjithçka në vaj votimi për reformën në drejtësi, teksa ka disa ditë që krerët e politikës dhe “eskortat” e tyre mbështetëse janë përfshirë në një garë të ethshme se kush e garantoi pjesmarrjen 100 përqind të votimit konsensual të këtyre ndryshimeve në Kushtetutë.
Janë jo pak, por 38 deputetë të parlamentit shqiptar të cilët nuk morën pjesë në votimin e një neni gjatë seancës historike të kalimit të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi.
Si asnjë herë për votimin nen për nen të reformës në drejtësi, u përdor në Kuvend votimi elektronik, ndryshe nga votimi i zakonshëm me karton.
Të gjithë deputetët shprehen të habitur për faktin se emri i tyre është regjistruar në kategorinë e ligjvënësve që nuk kanë marrë pjesë në votimin e disa neneve.
Vetëm ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka vendosur që të pranojë faktin se nuk e ka votuar me vetëdije një prej neneve të draftit të Reformës në Drejtësi.
Deputetët e tjerë japin si të vetmin shpjegim mosfunksionimin e mirë të elektronikës, apo mos kapjen e kohës gjatë votimit, shkruan Shqiptarja.com.