Kompanitë gjermane zgjedhin Huawei – Do të ndihmojë në ndërtimin e rrjetit 5G
Telefonica Deutschland, një nga operatorët kryesor në Gjermani, ka zgjedhur Huawei dhe Nokia për të ndërtuar rrjetin 5G. Kjo e fundit është gjenerata e ardhshme e rrjeteve celulare që premton shpejtësi super të shpejtë të të dhënave. Ky vendim përbën një mospërfillje ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara, që ka bërë fushatë për vendet aleate që të mbajnë gjigantët kinezë të telekomunikacionit jashtë rrjeteve të tyre 5G.
Washingtoni ka deklaruar se Huawei përbën rrezik të sigurisë, për shkak se pajisjet që prodhon mund të përdoren nga qeveria kineze për spiunazh, diçka që kompania e ka mohuar. Shtetet kanë pasur qasje të ndryshme ndaj Huawei. Japonia dhe Australia kanë ndaluar kompaninë nga rrjetet e tyre 5G, ndërsa Mbretëria e Bashkuar nuk e ka marrë ende vendimin përfundimtar.
Qeveria gjermane vendosi në Tetor se nuk do të përjashtojë Huawei nga rrjetet 5G, por do të prezantojë një draft me udhëzime të sigurisë për pajisjet. Telefonica Deutschland bëri të ditur se po pret miratim nga qeveria gjermane. Kompania zgjodhi Huawei dhe Nokia për të ndërtuar të ashtuquajturin Rrjetin e Aksesit në Radio, apo RAN, që është pjesë e rrjetit që lidh pajisjet me sinjalin 5G. Ndërkohë që Kina ka “ndezur” rrjetet 5G dhe disa operatorë në SHBA kanë prezantuar teknologjinë, Europa duket se ka mbetur mbrapa.