Kur fshesa elektrike përgjon bisedat familjare!
-Botuar në radion shterore gjermane DW-
Nuk është sekret që kompania Amazon ka një sërë të dhënash për klientët, të mbledhura kryesisht nga miliona abonentë në Prime. Por ajo merr të dhëna edhe nga kompanitë bija.
Nga zakonet e leximit të klientëve në Amazon Kindle e deri te ushqimet që parapëlqejnë të blejnë njerëzit në Prime, Amazon e ka përsosur artin e gjurmimit. Softueri është aq i saktë në parashikimin e preferencave të përdoruesve, saqë palët e treta mund t’i konfigurojnë algoritmet e tyre me anë të shërbimit parashikues Amazon Forecast.
Por kjo nuk është e tëra. Titani i madh i teknologjisë ka më shumë se 100 kompani. Ato i mundësojnë kompanisë amë të mbledhë më shumë të dhëna për konsumatorët për të furnizuar me të dhëna Amazon Forecast. Teknologjia e Amazon ka kaluar nga thjesht pritje dhe përgjigje ndaj kërkesave të klientëve në parashikimin e tyre. Në një demonstrim të asistentes zanore të Amazon, Alexa, kur i kërkonin të rezervonte biletat e filmit, ajo vijonte duke pyetur nëse doni të bëni edhe një rezervim restoranti apo të porosisni një taksi me Uber. Por “është problematike nëse Amazon ndan të dhëna midis kompanive të ndryshme që zotëron”, i tha DW Simon David Hirsbrunner, nga Freie Universität Berlin, pasi të dhënat e konsumatorit mblidhen në kontekste të ndryshme. “Studiuesit e të dhënave të Amazon mund të mos jenë në gjendje të identifikojnë dhe menaxhojnë çështjet e privatësisë në varësi të këtyre konteksteve specifike.”
Në fillim të këtij viti, Amazon mbylli një kontratë prej 3,9 miliardë dollarësh për blerjen e kompanisë One Medical, një nga ofruesit kryesor të kujdesit shëndetësor në SHBA, me 815 000 anëtarë. One Medical zotëron 15 vjet të dhëna mjekësore dhe të sistemit shëndetësor, të cilat Amazon mund t’i përdorë për ta ndihmuar atë të krijojë produkte shëndetësore me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe të parashikojë kostot.
Por mbrojtësit e privatësisë janë të shqetësuar për këtë blerje, edhe pse ligjet e ndalojnë kompaninë të ndajë informacione personale shëndetësore me palët e tjera pa lejen e përdoruesit. Kjo ka të bëjë pjesërisht me sjelljen e paqartë të Amazon në çështjen e privatësisë. Një investigim i vitit 2020, bërë nga gazeta amerikane Wall Street Journal, zbuloi se punonjësit e Amazon përdornin të dhëna të shitësve të pavarur për të zhvilluar produkte konkurruese – duke shkelur kështu edhe politikat e vetë kompanisë. Në vitin 2021, ajo u gjobit me 886,6 milionë dollarë nga Komisioni Kombëtar për Mbrojtjen e të Dhënave (CNPD) për shkeljen e ligjeve të BE-së për mbrojtjen e të dhënave.
“Mënyra se si Amazon po zgjerohet agresivisht në fusha edhe më të ndjeshme si shëndeti, do të thotë se ne nuk kemi mundësi të zgjedhim për mënyrën se si pjesë të ndryshme të të dhënave tona ndërlidhen brenda Amazon”, tha për DW Garfield Benjamin, pedagog sociologjie në Universitetin Solent të Anglisë.
Por Amazon pohon se ajo – dhe kompanitë që ka blerë – përdorin dhe ndajnë të dhënat personale të klientëve, vetëm në përputhje me ligjin, me synimin që të fuqizojë produktet dhe shërbimet për klientët.
“Ashtu si shitësit e tjerë me pakicë, ne shikojmë të dhënat e shitjeve dhe të magazinimit për t’u ofruar klientëve tanë përvojën më të mirë të mundshme,” tha Amazon për DW. “Padia në fjalë u bë publike gati dy vjet më parë. Ne nuk pajtohemi dhe kemi apeluar vendimin e CNPD, pasi vendimi në lidhje me mënyrën se si u tregojmë klientëve reklamat përkatëse mbështetet në interpretime subjektive dhe të pabaza të ligjit evropian të privatësisë.”
Fshesa me korrent që të vëzhgon
Mbledhja e të dhënave për gjendjen e qilimave të amerikanëve mund të tingëllojë relativisht e padëmshme. Por vërsulja e Amazon vitin e kaluar mbi iRobot, prodhuesin amerikan të Roomba, një robot që fshin papastërtitë në shtëpi, po shqetëson edhe zyrtarët e BE-së. Shqetësimi i tyre është që kjo aftësi për të parë brenda shtëpive të njerëzve do t’i japë Amazon një avantazh të padrejtë ndaj rivalëve. Mbrojtësit e sigurisë së të dhënave janë ankuar në Komisionin Evropian se marrëveshja prej 1,7 miliard dollarësh rrezikon pushtimin e privatësisë, pasi Roomba bën fotografi rreth zonave të banimit.
iRobot thotë se akuzat se produktet e iRobot përdoren për përgjime janë trillime të pastra. “Funksionet e sigurisë dhe privatësisë janë të integruara në produktet [e iRobot] që nga fillimi i procesit të zhvillimit,” tha një zëdhënës i iRobot për DW, duke shtuar se fotot merren dhe shpërndahen vetëm nëse përdoruesi pranon dhe se fotot e shpërndara me iRobot përdoren për të përmirësuar funksionalitetin e fshesës elektrike.
Por këto produkte shihen me shqetësim edhe nga grupet e konsumatorëve. Një koalicion antimonopol i ka kërkuar Komisionit Evropian ta bllokojë marrëveshjen, e cila ende nuk është mbyllur. “Amazon që tani monitoron pragjet tona dhe dëgjon bisedat tona në mbrëmje dhe ky bashkim kompanish do ta fusë Amazon brenda hapësirave tona të jetesës”, tha koalicioni muajin e kaluar.
Rënia e ziles së derës e aktivizuar me video të Amazon Ring regjistron çdo lëvizje të zbuluar në prag, sipas një investigimi të BBC-së të vitit 2020. Amazon e bleu Ring për 1 miliard dollarë në vitin 2018. Edhe modeli i telefonit dhe rrjeti celular i përdorur për të parë videot ruhen, siç zbuloi investigimi, megjithëse Amazon u jep klientëve opsione për fshirjen e të dhënave.
Në vitin 2022 Amazon i kaloi 11 herë pamjet e regjistruara në policinë amerikane, pa pëlqimin e të zotëve, sipas një letre publike drejtuar kompanisë, në korrik të atij viti. Amazon Ring tha se videot u ndanë për shkak të një “emergjence”, por mbrojtësit të dhënave kanë ngritur shqetësime se policia mund të përpiqet ta përdorë këtë shërbim.
Sa më shumë shërbime të Amazon që përdorin konsumatorët – qoftë zilja e derës Ring, altoparlanti inteligjent Echo apo shërbimi i transmetimit Prime – aq më e plotë bëhet panorama e nevojave të tyre.
“Amazon do të jetë në gjendje të gjejë mënyra për të përdorur informacionet e marra nga të gjitha të dhënat e klientëve të saj në shërbim të rritjes së mëtejshme të kompanisë”, duke përdorur potencialisht asetet e saj të të dhënave dhe rolin dominues si një ndërmjetës në internet për të “marrë përsipër një segment tjetër të ekonomisë, në SHBA dhe në mbarë botën”, tha Katharina Kopp, zëvendësdrejtore e Qendrës për Demokraci Dixhitale.
Blerja e kompanive të tjera është bërë për të sjellë produkte të përshtatshme dhe inovative në treg, thotë Amazon, jo për mbledhjen e të dhënave. “Privatësia e informacionit të klientit ka qenë, është dhe mbetet një prioritet kryesor në të gjitha produktet dhe shërbimet tona”, tha një zëdhënës për DW. “Për shembull, Amazon ishte një nga shitësit e parë me pakicë që lejoi klientët të shikojnë historinë e tyre të shfletimit dhe blerjeve dhe të menaxhojnë se cilët artikuj mund të përdoren për rekomandimet e produkteve”, sqaroi zëdhënësi për DW. “Klientët gjithashtu mund të fshijnë regjistrimet e tyre nga Alexa ose të zgjedhin që ato të mos ruhen fare.”
“Në një botë ideale”, tha për DW Pernille Tranberg, një këshilltare e pavarur për demokracinë e të dhënave dhe themeluese e organizatës jofitimprurëse daneze DataEthics.eu, “trajtimi dhe ruajtja e duhur e të dhënave personale nuk duhet të jetë përgjegjësi e konsumatorit, por ne nuk jetojmë në një botë ideale”./DW/