NASA hap një kapitull të ri në historinë e fluturimit, avioni supersonik X‑59 merr jetë në testet e para të lëvizjes me fuqinë e vet

NASA/Lockheed Martin

Një video e publikuar nga Agjencia Amerikane e Hapësirës (NASA) ka mbajtur të mbërthyer sytë e botës mbi një pistë në Palmdale, Kaliforni, ku një siluetë futuriste lëviz ngadalë, por me siguri, mbi asfalt. Është X‑59 QueSST, avioni eksperimental që premton të kthejë në realitet ëndrrën e fluturimit supersonik të qetë mbi qytete.

Në timon ndodhet Nils Larson, piloti i testimit, i cili, i ulur në një kabinë pa dritare tradicionale por me një eXternal Vision System – një ekran i sofistikuar që zëvendëson pamjen optike – drejtonte avionin përmes taksimit me shpejtësi të ulët. Ekipi i NASA-s dhe Lockheed Martin kishte ngritur një qendër kontrolli pranë pistës, ku çdo sensor, çdo klikim i frenave dhe çdo lëkundje e trupit të avionit regjistrohej me imtësi.

“Ky është një hap i madh përpara,” deklaroi Larson pas testimit. “Ndërsa X‑59 lëvizte me fuqinë e tij për herë të parë, ndjenim sikur po e sillnim të ardhmen një hap më pranë.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Avioni, i gjatë rreth 30 metra dhe me një hundë të zgjatur të gjatë mbi 9 metra, është dizajnuar posaçërisht për të shpërndarë valët e presionit në mënyrë të tillë që të mos krijohet bum-i klasik supersonik. Kjo teknologji, që NASA e quan Quiet Supersonic Technology (QueSST), synon të mundësojë fluturime komerciale mbi tokë me shpejtësi dyfish të shpejtësisë së zërit, pa shkaktuar tronditje apo shqetësime në komunitetet poshtë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga Concorde te X‑59: një ëndërr e rilindur
Në vitet ’70, Concorde përshkonte Atlantikun në vetëm tre orë, por bumet supersonike e kufizuan fluturimin vetëm mbi dete. Për dekada, supersoniku mbeti një kujtim nostalgjik i një epoke guximtare. Sot, NASA synon të shndërrojë këtë kujtim në të ardhme konkrete.

“X‑59 nuk është thjesht një avion; është një demonstrues teknologjie që do të ndryshojë mënyrën si udhëtojmë,” shpjegon një nga inxhinierët kryesorë të projektit. “Çdo testim na sjell më afër një epoke ku udhëtimi nga Nju Jorku në Los Anxhelos mund të zgjasë më pak se dy orë – dhe askush në tokë nuk do ta dëgjojë atë të kalojë.”

Hapat që vijnë
Pas këtij suksesi fillestar, avioni do të kalojë në testime më dinamike: taksime me shpejtësi më të lartë, simulime emergjencash dhe në fund, momentin kulmor – fluturimin e tij të parë supersonik, që pritet të ndodhë pas pak muajsh.

Teksa X‑59 rrokulliset ngadalë mbi pistën e Palmdale-it, ai bart mbi krahët e tij jo vetëm karburant dhe teknologji, por edhe ëndrrën e kahershme të njerëzimit për të sfiduar kohën dhe distancën. Një avion që nuk është thjesht një makinë, por një premtim për të ardhmen.

Përgatiti: Albert Vataj/ Koha Jonë

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?