Ndërhyrje në zgjedhje? Facebook pezullon tre rrjete të llogarive të rreme ruse
Kompania Facebook tha të enjten se ka mbyllur tre rrjete të llogarive të rreme të cilat mund të përdoreshin nga shërbimet e inteligjencës ruse për rrjedhje dokumentesh si pjesë e përpjekjeve për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara.
Kompania tha se llogaritë, të cilat i pezulloi për shkak se përdornin identitete tërreme dhe kryenin “veprime joautentike të koordinuara”, ishin të lidhura me inteligjencën ruse dhe njerëz të një organizate me qendër në Shën Peterburg, e akuzuar nga zyrtarët amerikanë për përfshirje në përpjekjet për të ndikuar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Ministria e jashtme ruse nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë së lajmeve Reuters për koment pas orarit normal të punës në Moskë. Rusia vazhdimisht ka mohuar akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane dhe ka thënë se Moska nuk ndërhyn në politikën e brendshme të vendeve të tjera.
Nathaniel Gleicher, shef i politikës së sigurisë kibernetike në Facebook, tha se nuk kishte prova tani për tani se dokumentet e hakeruara ishin gati për publikim, por përmes pezullimit të llogarive Facebook shpresonte se do të parandalonte përdorimin e tyre në çdo operacion të mëvonshëm.
“Ekipi ynë monitoron kërcënimet dhe prirjet për të cilat ne duhet të jemi të përgatitur dhe të vetëdijshëm. Kemi të bëjmë me një operacion të vjedhjes kibernetike të dokumenteve dhe publikimit të tyre, veçanërisht në 6-8 javët e ardhshme”, tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Ne donim t’i pezullonim llogaritë për të parandaluar aftësinë e tyre për t’i përdorur ato për vjedhjet kibernetike të dokumenteve dhe publikimin e tyre rreth kohës së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.
Facebook tha se rrjetet e llogarive ishin të vogla, vetëm një pjesë e vogël e tyre kishin llogari në faqen e saj të internetit dhe në Instagram, disa prej të cilave paraqiteshin si media të pavarura dhe organzata analitike. Të gjitha llogaritë së bashku kishin një total prej rreth 97,000 ndjekësish.
Ndërsa disa nga aktivitetet kishin në shënjestër audiencat në Britani dhe Shtetet e Bashkuara, rrjetet ishin kryesisht të përqendruara në vendet e Lindjes së Mesme dhe në ato në kufi me Rusinë, si Siria, Turqia, Ukraina dhe Bjellorusia, tha Facebook.
Kompania Twitter tha se kishte punuar me Facebook-un për të identifikuar dhe pezulluar 350 llogari të operuara nga organizata të lidhura me shtetin në Rusi.
Të dy kompanitë thanë se një nga rrjetet ishte identifikuar pas një informacioni nga FBI-ja, e cila paralajmëroi të martën se aktorë të huaj dhe kriminelë kibernetikë ka të ngjarë të përhapnin dezinformim rreth rezultatit të zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Paralajmërimet pasojnë një alarm nga kompania Microsoft në fillim të këtij muaji se hakerat që kishin lidhje me Rusinë, Kinën dhe Iranin po përpiqeshin të përgjonin njerëzit e lidhur me Presidentin amerikan Donald Trump dhe rivalin e tij demokrat, Joe Biden.
Graham Brookie, drejtor i Laboratorit Dixhital të Këshillit Atlantik, ka punuar me kompaninë Facebook për të analizuar llogaritë e pezulluara. Ai tha se aktivitetet tregonin se Rusia po vazhdonte përpjekjet për të përkeqësuar tensionet politike në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë.
“Kjo nuk e hedh poshtë faktin se shkalla dhe intensiteti i dezinformimit të brendshëm është shumë më i madh sesa ajo që një armik i huaj do të mund të bënte”, tha ai.”Por përpjekjet e Rusisë mbeten një dobësi jashtëzakonisht serioze e sigurisë kombëtare”, tha eksperti Graham Brookie.