Qeveria britanike planifikon një rrjet 5G pa “Huawei”
Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet të njoftojë gjatë këtij muaji planet për të larguar pajisjet “Huawei” nga rrjeti 5G i vendit, njoftoi sot “Financial Times”, duke cituar burimet qeveritare.
“Downing Street dëshiron të diversifikojë pajisjet e tij për të zvogëluar pjesën e furnizuesve me rrezik të lartë. Huawei ishte ndër kryesorët mes tyre”, tha nga ana e tij, Oliver Dowden, ministri përgjegjës për Dixhitalin, Kulturën, Median dhe Sportin.
Sipas “Financial Times”, Johnson planifikon ta heqë “Huawei”-n, veçanërisht sepse sanksionet amerikane të njoftuara në maj do të paraqesin, sipas një raporti britanik të sigurisë kombëtare, pikëpyetje shumë shumë serioze në lidhje me aftësinë e “Huawei”-t për të vazhduar të jetë furnizues i rrjetit britanik 5G.
Shtypi britanik tha në fund të majit se Boris Johnson do t’i rishqyrtojë lidhjet e vendit me “Huawei”-n dhe madje konsideron përjashtimin e tij deri në vitin 2023 nga rrjeti 5G.