Risi në SHBA, pajisja që mund të paralajmërojë për gripin

Është ndoshta pajisja e fitness-it më e njohur në treg. Tani “Fitbit” mund të paralajmërojë për periudhën se kur mund t’iu zërë gripi. Me shpërndarjen e të dhënave mund të ndihmojë dhe zyrtarët e shëndetësisë që të parashikojnë epidemitë.

Instituti Kërkimor “Scripps” analizoi të dhënat e 47 mijë përdoruesve që mbajtën vendosur pajisjen e tyre “Fitbits” vazhdimisht nga marsi i 2016-s deri në mars të 2018-s në 5 shtete amerikane. Ata monitoruan ndryshimet në rrahjet e zemrës dhe mënyrat e gjumit të përdoruesve për të identifikuar kur ata mund të ishin me grip.

Studimi zbuloi se të prekurit nga gripi, kanë rrahje të lartë të zemrës dhe ndryshime në oraret e gjumit. Kërkuesit krahasuan të dhënat e atyre që raportuan për grip, të marra nga qendra amerikane për parandalimin dhe kontrollimin e sëmundjeve dhe rezultati ishte se mund të parashikohet periudha kur mund të prekeni nga gripi.

Koha është një faktor kyç kur vjen puna në përhapjen e epidemive. Autorët e studimit shpresojnë se kjo mund të përdoret për të përmirësuar reagimin e autoriteteve mjekësore në parandalimin e përhapjes së madhe të gripit tek qytetarët.

Raportimet tradicionale mund të shkojnë nga 1 deri në 3 javë, duke limituar aftësinë për një mjekim të shpejtë të të prekurve nga gripi.

SHKARKO APP