Twitter shpreh interes për blerjen e TikTok-ut

Kompania “Twitter Inc” i ka shprehur interesin kompanisë kineze “ByteDance” për të blerë operacionet në SHBA të aplikacionit “TikTok”, bënë të ditur për agjencinë “Reuters” dy burime që kanë dijeni mbi këtë çështje. Por ekspertët kanë hedhur dyshime mbi aftësinë e “Twitter-it” për siguruar financim për një marrëveshje të mundshme.

Burimet thanë të shtunën se ka pak mundësi që “Twitter-i” të jetë në gjendje ta mundë kompaninë “Microsoft Corp” duke mbyllur një marrëveshje brenda 45 ditësh, afat që Presidenti Donald Trump i ka dhënë kompanisë “ByteDance” që të shesë “TikTok-un”.

Lajmi se “Twitter-i” dhe “TikTok-u” janë përfshirë në bisedime paraprake dhe se “Microsoft-i” ende shihet si kryesues për blerjen e aplikacionit u raportua më herët nga “The Wall Street Journal”.

Sipas burimeve “Twitter-it” do t’i duhet të mbledhë kapital shtesë për të financuar marrëveshjen. Kompania “Twitter” ka një vlerë në treg prej rreth 30 miliardë dollarësh, pothuajse aq sa vlera që kërkon “TikTok-u” të shesë.

“Twitter-i” do ta ketë të vështirë të mbledhë fonde të mjaftueshme për të siguruar blerjen e operacionet amerikane të “TikTok-ut”. Ai nuk ka aftësi të mjaftueshme huamarrjeje”, thotë Erik Gordon, profesor në universitetin e Miçiganit.

“Nëse ai (Twitteri) përpiqet të bashkojë një grup investitorësh, kushtet do të jenë të forta. Aksionerët e tij mund të preferojnë që përqendrimi i menaxhimit të jetë tek biznesi ekzistues”, shton ai.

Një nga aksionarët e “Twitter-it”, firma private e kapitalit “Silver Lake”, është e interesuar të ndihmojë në financimin e një marrëveshjeje të mundshme, shton një nga burimet. Sipas informacioneve “Twitter-i” ka bërë të ditur se oferta e tij do të përballej me një kontroll më të vogël rregullator sesa në rastin e “Microsoft-it” dhe se nuk do të ketë ndonjë presion nga Kina duke pasur parasysh se nuk është aktiv në atë vend, thanë burimet. “TikTok-u”, “ByteDance” dhe “Twitter-i” nuk pranuan të komentojnë.

Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime ndaj aplikacionit “TikTok” lidhur me sigurinë kombëtare. Në fillim të kësaj jave zoti Trump njoftoi vendimin për të bllokuar përdorimin e aplikacioneve me pronar me bazë në Kinë, “WeChat” dhe “TikTok”, duke përshkallëzuar tensionet mes dy vendeve. Urdhrat ekzekutivë hyjnë në fuqi brenda 45 ditëve.

Zoti Trump tha këtë javë se do të mbështesë përpjekjet e “Microsoft-it” për të blerë operacionet në SHBA të TikTok-ut nëse qeveria amerikane do të merrte një “pjesë të konsiderueshme” të të ardhurave. Ai tha gjithashtu se do ta ndalojë aplikacionin popullor në 15 shtator. “Microsoft-i” bëri të ditur të dielën se synon që përfundojë negociatat për një marrëveshje deri në mesin e shtatorit./VOA/

SHKARKO APP