VOA: Zyrtarët e Pentagonit nuk përjashtonin asgjë, madje as UFO-t në “objektet e paidentifikuar”
Një avion luftarak amerikan rrëzoi një “objekt të paidentifikuar” mbi liqenin Huron të dielën me urdhër të presidentit Joe Biden. Ky ishte rasti i katërt brenda tetë ditësh dhe reagimi i fundit ushtarak në një situatë të jashtëzakonshme episodesh të tilla të njëpasnjëshme në hapësirën ajrore të SHBA-së. Zyrtarët e Pentagonit besojnë se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në kohë paqeje.
Një nga arsyet për goditjen e objekteve ishte balona e përgjimit nga Kina që përshkoi hapësirën ajrore të SHBA-së në fund të janarit, tha në një konferencë me gazetarët gjenerali Glen VanHerck, kreu i Komandës Veriore të SHBA-së.
Që nga rrëzimi i balonës më 4 shkurt, avionët luftarakë kanë goditur objekte mbi Kanada dhe Alaskë. Zyrtarët e Pentagonit thanë se këto objekte nuk përbënin kërcënime për sigurinë, por dihej aq pak për to, saqë zyrtarët e Pentagonit nuk përjashtonin asgjë, madje as UFO-t.
“Ne filluam ta shqyrtojmë më nga afër hapësirën tonë ajrore në këto lartësi, përfshirë përmirësimin e radarit tonë, gjë që mund të shpjegojë të paktën pjesërisht pse i kemi vërejtur këto objekte më shpesh”, tha Melissa Dalton, ndihmës sekretare e mbrojtjes.
Zyrtarët e Pentagonit thanë se ata ende po përpiqeshin të përcaktonin se çfarë janë saktësisht objektet dhe thanë se kanë vendosur të përdorin armët e avionëve në vend të raketave, por kjo rezultoi shumë e vështirë. Ata thanë se ka dallim të madh midis tre objekteve të rrëzuara gjatë kësaj fundjave dhe balonës nga Kina’_ shkruan ndër të “Zëri i Amerikës”.