Veliaj inspekton punimet në dy shkolla të reja në Kodër Kamëz: Standard të njëjtë arsimor për një start të barabartë për çdo fëmijë

Në Kodër Kamëz po ndërtohen dy shkolla të reja, pjesë e një kampusi të ri për arsimin parauniversitar në vend

Njëlloj me standardin e shkollave të reja që po ndërtohen kudo në Tiranë, shkollat “Nënë Tereza” dhe “J.F. Kennedy” do të ofrojnë 3 ciklet, parashkollorin, 9-vjeçaren dhe gjimnazin me një infrastrukturë moderne, sipas projektit që mban firmën e arkitektit më famë botërore, Stefano Boeri, si dhe me ambiente të bollshme dhe hapësira të shfrytëzueshme edhe për aktivitete sportive e kulturore ekstra kurrikulare për komunitetin e Kodër Kamzës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi ecurinë e punimeve për ndërtimin e këtij kampusi shkollor, shtrirë në afro 12 mijë metër katrorë dhe ku pritet që të kryejnë ciklin mësimor parauniversitar të paktën 1300 nxënës.
Është një ditë shumë e mirë për Kodër Kamzën. Kemi hyrë në fazën e fundit të këtij kompleksi shkollor. Dikush mund të lindë në Kodër Kamëz dhe nga mosha 3-4 vjeç kur fillon parashkollorin, vazhdon 9-vjeçaren, gjimnazin, nëse do edhe universitetin, apo edhe pas universitarin, mund të vazhdojë të jetë këtu deri në 23, apo 24 vjeç. Kjo do të thotë që për 20 vite të jetës, ku, një fëmijë tipik i Kodër Kamzës kalonte një përqindje të kohës vetëm me vara-vingo për të shkuar në qendër të Tiranës për një shkollë më të mirë, këtyre mundimeve iu vjen fundi. Brenda këtij viti ne do të përgatitemi për hapjen e këtij kampusi, kampusi ndoshta më i madh shkollor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, por edhe më i bukur,” u shpreh Veliaj.

Veliaj siguroi se me standardin e njëjtë të shkollave si në qendër ashtu edhe në periferi, Bashkia kujdeset për një start të barabartë për çdo fëmijë.
Parimi ynë ka qenë që një fëmijë në Kodër Kamëz do duhet të ketë të njëjtin shans si në Kombinat, si në Kinostudio apo në bllok. Detyra jonë si Bashki është që tu ofrojmë të gjithëve një shans të barabartë për t’ia nisur. Unë besoj fort që me këtë infrastrukturë nuk ka asnjë justifikim se kush është i mirë e kush punon fort arrin të shkëlqejë njëlloj, si nga Kodër Kamza, si nga Blloku, Kinostudio, apo Kombinati,” tha ai.

SHKARKO APP