Vetëm presioni dhe frika e zbyth Ramën

Qëndrimet e Edi Ramës gjatë 24 orëve të fundit për reformën zgjedhore mund të shërbejnë në teoritë politike si një përmbledhje e “manualit rilindas për krizë dhe konflikt”. Një ditë më parë, kur duket se Këshilli Politik i reformës zgjedhore, me konsensusin e opozitës dhe presionin ndërkombëtar ndaj qeverisë po arrinte një produkt, Edi Rama hodhi në erë çdo gjë. Kryeministri deklaroi se kishte dy kushte nga të cilat nuk hiqte dorë dhe as kishte ndërmend të pyeste opozitës.
Kushti i parë i Ramës: Komisionet zgjedhore të jenë nga shoqëria civile, me saktë nga radhët e Rilindjes.
Kushti i dytë: Kolegji Zgjedhor që do shqyrtojë ankesat të jetë nga gjyqtarë që kanë dalë nga Vettingu, pra realisht nga ata që kanë kaluar vetë kryeministria me anë të Vettingut. Kërkesat në dukje janë aq të pafajshme sa kushdo që u del kundër duket sikur bën mëkat ndaj shtetit të së drejtës.
Por ky është rrengu kryesor i Edi Ramës. Komisionerë votash nga shoqëria civile nuk ka pasur ndonjëherë dhe as nuk mund të ketë në Shqipëri. Arsyeja është e thjeshtë; në këtë vend shoqatat marrin fonde direkt ose indirekt nga qeveria. Mësuesit, mjekët dhe gjithë të tjerët marrin rrogën po qeveria dhe është e pamundur që këta njerëz të jenë garant të votave të qytetarëve dhe opozitës. Me gjithë respektin për çdo nëpunës të këtij shteti, shoqëria civile dhe administrata shtetërore sot u ngjan bashkimeve profesionale të kohës së komunizmit, që jeton me dhe për direktivat e partisë. Kushti i dytë i Edi Ramës, që nuk ua ka thënë as OSBE dhe as ndonjë ndërkombëtar është ai i Kolegjit Zgjedhor me juristë të dalë nga vetingu. Kjo kërkesë që duket reformiste, në praktikë do të thotë votoni dhe numëroni si të doni, në fund mandatet e deputetit do i shqyrtojnë juristë si Ardian Dvorani dhe të tjerët të cilët vërtetë e kanë kaluar vettingun, por të ardhmen dhe karrierën e kanë peng në Partinë Socialiste.
Nëse dy kërkesat e Edi Ramës merren seriozisht, çfarëdo që të ndryshojë në Kodin Zgjedhor nuk ka asnjë pikë vlere. Votat do i numërojnë njerëzit e administratës dhe nëse ke ankesa do përfundosh në duart e ndonjë gjyqtari që ka dalë i pastër nga vettingu vetëm duke u bërë pis me ngjyrën e rilindjes dhe që merr urdhër nga kryeministria.
Edi Rama e di që këto kërkesa mund të zbatohen në Shqipërinë e pas 50 viteve dhe jo në mizerjen politike që po jetojnë sot shqiptarët. Megjithatë, kryeministrit nuk i interesojnë sot zgjedhjet. Më shumë se kurrë sot Edi Ramës i duhet konflikti, kriza dhe bojkoti i opozitës për reformën zgjedhore dhe kapja në tavolinë e zgjedhjeve të ardhshme. Pasi hedh në erë konsensusin parimor me opozitën reale, Rama do të dalë në krah të ndonjë ambasadori që bën sikur nuk kupton asgjë se çfarë ndodhë këtu dhe do të thotë se opozita nuk do as reformë dhe as zgjedhje. Në fund Kodin Zgjedhor e miraton siç do ai bashkë me Rudina Hajdarin që la Amerikën vetëm për tu dhënë fund halleve të shqiptarëve me zgjedhjet.
Nëse opozita do të kishte vijuar e qetë axhendën në reformën zgjedhore dhe nuk do të reagonte ndaj Edi Ramës dy kushtet e kryeministrit do të dilnin si mur i pakapërcyeshëm në momentin final. Reagimi në bllok i PD dhe LSI, refuzimi i futjes në axhendë të këtyre dy pikave dhe kërcënimi politik kundër skenarit të kryeministrit dhanë rezultat.
Opozita lajmëroi sot në mesditë mënjëherë thirrjen e popullit në skenë para kryeministrisë. Dhe këtë herë populli nuk fal më, nuk don tia dijë as për gaz helmues, sepse jeta i është helmuar përditë nga papunësia dhe mungesa e së ardhmes për familjen.
Më në fund Damian Gjiknuri u detyrua të thotë disa herë se propozimet e kryeministrit nuk janë në axhendë dhe pranoi tërheqjen. Edi Rama u ndodh përballë faktit të kryer se po sabotonte reformën, por edhe kërcënimit se loja e tij do të sillte valën e pandalshme të protestave, këtë herë pa kthim dhe pa asnjë shans për negociata.
Nëse plasin protesta këtë vit, nuk ka Zot që i ndalë. As Lulzim Basha nuk ka më fuqi mbi popullin e revoltuar ti thotë MOS DIGJNI! Ndaj Edi Rama bëri mirë që u kthjellua dhe u tërhoq.
Por Opozita të jetë vigjilente se prapë Rilindja diçka të poshtër do jetë duke e gatuar!

SHKARKO APP