Vora bëhet edhe me një fushë të re, Duka: Infrastruktura e mirë afron të rinjtë me futbollin

Pas asaj të ndërtuar në kompleksin e Dinamos në Arbanë, një tjetër fushë e re i është shtuar qarku sportiv Tiranë. Ka përfunduar tashmë edhe fusha e re me tapet artificial në njësinë Ahmetaq të Bashkisë Vorë, e ndërtuar në bashkëfinancim mes pushtetit lokal dhe Federatës Shqiptare e Futbollit në kuadër të projektit “100 fushat”.

Fusha që ndodhet ngjitur me shkollën e Ahmetaqit, nga një hapësirë braktisur është transformuar në një ambient modern e që do të presë futbollistët e Vorës, nga të gjitha ekipet e çdolloj moshe, të cilët do të stërviten aty, ndërkohë fusha do të jetë edhe në dispozicion të komunitetit.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i pranishëm sot për të inspektuar fushën e përfunduar tashmë, ku u prit nga kryetari i Bashkisë Vorës, Blerim Shera, teksa në prononcimin e tij ka theksuar se bashkëpunimi me njësitë vendore mund të jetë mjaft i rëndësishëm për ndryshimin e infrastrukturës sportive. Gjithashtu, ai përmendi faktin se pak kohë më par Vora inauguroi edhe stadiumin e ri.

“Vora është një nga bashkitë që ka mbështetur dhe ka bashkëpunuar më mirë me Federatën e Futbollin për ndryshimin e infrastrukturës. Imagjinoni që brenda një viti kemi përfunduar fushën e stadiumit, në bashkëpunim me bashkinë. Kemi përfunduar edhe këtë fushë stërvitje. Nga një bashki, pothuajse me një infrastrukturë inekzistente për futbollin, tashmë ka edhe fushën e lojës, ka edhe një fushë stërvitje, ku do stërvitet ekipi profesionist, akademia, fëmijët e shkollës që është ngjitur këtu me fushën”, – tha Presidenti Duka, duke shtuar se investimet do të vazhdojnë në çdo qytet të Shqipërisë për të rritur ndjeshëm nivelin e futbollit.

“Ky investim është pjesë e projektit të shpallur më kohë, ‘100 fushat’, që vazhdon këtu. Kemi inauguruar disa ditë më parë fushën në Arbanë për klubin Dinamo, kemi përfunduar këtë në Vorë dhe do të vazhdojmë me fusha të tjera, si në Kamëz, në Shkodër dhe në qytetet të tjera. Të gjitha këto do i shërbejnë sigurisht ndryshimit të nivelit të futbollit, afrimit të fëmijëve në sport dhe largimit të tyre nga rruga dhe nga veset negative dhe bashkimi me komunitetin tonë të bukur të futbollit, për t’u bërë të gjithë fëmijët një ditë pjesëtarë të ekipit kombëtar dhe ta gëzojnë Shqipërinë me rezultate, siç po e gëzon ekipi Kombëtar A sot”, – theksoi Presidenti Duka.

Fusha e re e Ahmetaqit është ndërtuar me përmasat e një fushë të madhe futbolli dhe me standardet moderne.

Pas stadiumit Vora bëhet edhe me fushë të re, Duka: Infrastruktura e mirë afron të rinjtë në futboll

 

SHKARKO APP