“Bigët” e Seria A të “çmendur” pas Ismajlit, tani e kërkon edhe Conte te Napoli
Kapiteni i Kombëtares dhe mbrojtësi i Empolit, Ardian Ismajli është ndër emrat më të përfolur në Itali. Gazeta “La Repubblica” shkruan për interesimin e Napolit në orët e fundit.
Qendërmbrojtësi shqiptar në ndeshjen e fundit mes dy skuadrave, la përshtypje të mirë, duke mbuluar si duhet Romelu Lukakun dhe ngjallur kureshtjen e drejtuesve napolitantë, të cilët kërkojnë një element për të forcuar prapavijën në merkaton e janarit.
Sipas raportimeve, lojtari do të zëvendësonte Juan Jesus, koha e lojës së të cilit është gjithnjë e më e pakët dhe aventura e të cilit në Napoli duket se ka marrë fund.
Për Ismajlin ka interes edhe nga Juventus, që në janar është në kërkim të një qendërmbrojtësi pas dëmtimi të Bremer. Te Napoli ai do gjente edhe Amir Rrahmanin, kapitenin e Kosovës.