Gjergj Luca bën apel, të mbrojmë dhe të promovojmë gatimet tradicionale shqiptare
Gjergj Luca në një dalje në rrjetet sociale, ka bërë apel të gjithë atyre që shërbejnë në sipërmarrjen e gastronomisë, që të mbrojmë dhe të promovojmë gatimet tradicionale shqiptare dhe produktet tona, si shprehje e përfaqësimit dinjitoz i një kulture dhe një tradite të shkëlqyer.
Prandaj, këtë përkatësi unike të identitetit tonë ta kemi, jo vetëm si një mënyrë shërbimi, por edhe si një prezantim që ne i bëjmë, kryesisht të huajve, atyre që vijnë nga Franca për të ngrënë ushqimet tona, ata që vijnë nga Italia për të shijuar gatimet shqiptare, atyre që vijnë nga bota mbarë, sepse kanë dëgjuar për kuzhinën shqiptare dhe gatimet shqiptare.
Ndërkohë Luca bëri prezent gjithashtu pjesëmarrjen e Rozafës në një panair të madhe të gastronomisë që mbahet në Berlin më 2-3 tetor 2024, një event ku janë të ftuar të gjithë prodhuesit dhe gastronomet shqiptarë, për të treguar jo vetëm Gjermanisë, por gjithë botës, se cila është kultura jonë e gatimit, se sa e mrekullueshme është kuzhina shqiptare.
Kjo thirrje e Lucës është për të mos lënë që një traditë kaq unike të vdesë. Kemi se me çfarë të konkurrojmë dhe me çfarë të përfaqësohemi dhe të mburremi, me gastronominë tonë si pjesë e pandarë e traditave tona, e kulturës dhe turizmit.
“Miq, e keni vënë re që shumë restorante me pronarë shqiptarë pretendojnë sikur janë restorante italiane, greke, franceze duke e lenë në harresë kuzhinën tonë. Dhe gradualisht fillon humbet identiteti ynë, emri ynë…
Ndaj sot iu bashkova kësaj nisme të bukur!”, shkruan Luca në rrjete sociale.
Albert Vataj