Gjergj Luca: Ditën e të Dashuruarve, varka “Allishverishi” niset për lundrim në detin e trazuar mediatik
Nga Albert Vataj
Në një det të mbushur me dallgë politike, përplasje interesash dhe zhurmë të pafund informacionesh të konsumueshme, po përgatitet të dëgjohet një zë tjetër. Jo domosdoshmërisht më i fortë, por më i drejtpërdrejtë; jo më i butë, por më i sinqertë. Një zë që nuk ka pranuar kurrë heshtjen si kompromis dhe as konformizmin si strehë. Gjergj Luca, një emër i lidhur prej kohësh me reagimin publik dhe qëndrimin pa ekuivok, vjen këtë herë me një dritare të re komunikimi, një podcast që synon të jetë më shumë se format, më shumë se modë, një hapësirë ballafaqimi.
Pas paralajmërimeve, ideimit dhe konceptimit, Luca ndodhet tashmë në provat gjenerale të nisjes së varkës “Allishverishi”, një metaforë e zgjedhur me vetëdije për një udhëtim që nuk premton qetësi, por kërkon guxim. Një lundrim në detin e fjalës së lirë, ku dallgët nuk shmangen, por përballohen.
“Një, dy, tre… një, dy, tre prova bëjmë ne…
Së shpejti podcasti më unik në Evropë. Allishverishi do të jetë shtëpia jonë e madhe e debateve!”, – shkruan Luca në postimin e tij video, duke ndarë me publikun jo vetëm entuziazmin e nisjes, por edhe detajet e kësaj sipërmarrjeje mediatike që mban firmën dhe vizionin e tij.
Në timonin e këtij bashkëbisedimi do të jenë dy figura që nuk i përkasin zonës së rehatisë: rebeli Ilir Demaliaj (Syçi), me gjuhën e tij pa doreza, dhe gazetari kontrovers Bled Mane, i njohur për përplasjen e drejtpërdrejtë me hipokrizinë publike. Dy zëra që nuk kërkojnë konsensus artificial, por nxisin debat real.
Jo rastësisht, nisja është menduar më 14 shkurt, Ditën e të Dashuruarve. Një datë simbolike, ku dashuria këtu nuk lexohet si sentimentalizëm, por si përkushtim ndaj së vërtetës, si besnikëri ndaj fjalës së lirë dhe respekt ndaj inteligjencës së publikut. Në këtë ditë, “Allishverishi” nuk është vetëm emri i një podcasti, por edhe i një tryeze ku priten përplasje idesh, debate pa filtër dhe një vërtetësi që nuk kërkon grim.
Me “Allishverishi”-n, Gjergj Luca synon të dëshmojë se ekziston ende një mënyrë tjetër për të bërë gjëra të bukura: duke qenë i vërtetë; për të bërë gjëra domethënëse: duke qenë i drejtpërdrejtë; për të komunikuar: duke qenë i qartë dhe i ndershëm. Një zë që nuk i flet turmës për ta kënaqur, por publikut për ta sfiduar.
Sepse, në fund të fundit, Gjergj Luca ka zgjedhur gjithmonë rrugën e vështirë: atë të të qenit ndryshe. Dhe pikërisht për këtë, “Allishverishi” nuk premton qetësi, por sinqeritet. Jo rehati, por debat. Jo zhurmë, por kuptim.
KOHA JONË SONDAZH

