Gjergj Luca e shtron me birrë e përzemërsi, sofrën e mirëseardhjes në Fish City
Ngado të venë nëpër botë, askund si në vendin e tyre ata nuk ndihen. Çfarëdo që të arrijnë dhe cilado mirëseardhje t’u rezervohet atje larg tokës së të parëve, vendi i huaj e ka të pamundur të bëhet vendi yt.
Tani në sezon të pushimeve ndihet më shumë se asnjëherë ky mall që sjell ata nga anë e mbanë botës shqiptarët, për t’u kthyer atje te votra, te pritja e dashurisë së pashuar të prindërve, te shtëpia, te kujtimet, te varret, te amanetet, tekaty ku është gjithnjë një shpirt i madh që të jep mirëseardhjen. Po atë mirëseardhje që ka rezervuar Gjergj Luca për këta dy bashkatdhetarë, të cilët edhe pse nuk jetojnë shumë larg, vijnë për të bërë pushimet në plazhet tona, aty ku u shijon më shumë “bukë e kripë”, se sa gjithë mirësitë e botës diku tjetër.
“Njëri nga Vlora, tjetri nga Elbasani jetojnë në Greqi dhe kanë ardh me pushime në Shqipëri. Dëgjojnë muzikë nga Joe Cocker, pinë birra dhe çmallen me Shqipërinë. Kanë filluar që mbrëmë duke pirë në Vlorë, morën taksi dhe erdhën në Labinot se këtu balta është më e ëmbël se mjalta…” shkruan Gjergj Luca në postimin e tij në rrjetet sociale.
Kjo që Luca bën, ajo që ai promovon, përpjekjet e pandalshme që nuk i mjaftojnë dot, është ajo që bën dhe duhet të bëjë gjithkush që e do këtë vend, e ndjen këtë tokë, e shijon këtë bukë, mrekullohet nga ky bregdet, futet në borxh nga kjo mirëseardhje.
Albert Vataj