Gjergj Luca i lutet Berishës: “Na bëj një Ditë Burrash, se na i mori të gjitha gratë Ed Rama”

Gjergj Luca, ai që nuk di të rrijë i heshtur dhe që komunikimin publik e shndërron shpesh në një skenë spontane satire, është shfaqur edhe këtë mbrëmje të mbetur nga atmosfera e festimeve të 8 Marsit, me krahët plot buqeta lulesh për gratë. Në stilin e tij të njohur, mes humorit të gjallë, ironisë therëse dhe një pantomime që shpesh thotë më shumë se fjalët, ai ka publikuar një videomesazh që përzien urimin me thumbimin politik.

Në këtë performancë të vogël publike, Luca i drejtohet kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke iu referuar deklaratës së tij se opozita ndodhet “në kilometrin e fundit”. Duke e marrë këtë shprehje si pikënisje për një lojë ironike, ai thotë se u ndje i frymëzuar dhe se kjo buqetë lulesh është për gratë, motrat dhe mbështetëset e Partisë Demokratike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por satira e tij nuk ndalet këtu. Me një ton të qeshur e njëkohësisht provokues, Luca shton: “Doktor, na bëj një Ditë Burrash, se na mori në qafë Ed Rama. Na i mori të gjitha gratë dhe burrat i la rrugëve.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Kjo fjali, e thënë në formën e një shpotie, është një mënyrë për të vënë në lojë retorikën politike dhe për të krijuar një kontrast mes rivalitetit politik dhe gjuhës së përditshme popullore.

Më pas, duke treguar një tjetër buqetë me lule, sipërmarrësi shton se këtë e ka për burrat e partisë opozitare, duke i ftuar të heqin dorë nga gjuha dhe simbolika e dhunës. Në një mënyrë që përzien humorin me kritikën, ai thotë se është koha të zbuten dhe të largohen nga molotovët, sepse, sipas tij, me atë rrugë nuk do të vijnë kurrë në pushtet.

Videomesazhi i tij, sa politik aq edhe satirik, Luca e shoqëron me një tekst që përmbledh thelbin e kësaj ironie publike:
“Doktor, mbrëmja e 8 Marsit po ul siparin dhe unë nuk rri dot pa uruar, o i uruar. Në këtë festë grash u drejtohem burrave të partisë: ju me molotovë, e unë me lule. Ju me zjarr, e unë me dashuri.”

Në këtë mënyrë, Luca e kthen një urim për Ditën Ndërkombëtare të Gruas në një skenë të vogël satirike politike, ku gjuha e humorit, simbolika e luleve dhe ironia ndaj retorikës së përplasjes krijojnë një kontrast që synon të thotë më shumë sesa një deklaratë e zakonshme politike.

Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?