Gjergj Luca, më 6 mars vjen me Podcastin “Allishverishi”, me një zë pa filtra në peizazhin mediatik shqiptar

Nga Albert Vataj
Sipërmarrësi Gjergj Luca, një nga zërat më të drejtpërdrejtë dhe më pak të filtruar të reagimit publik në Shqipëri, nuk e koncepton angazhimin e tij si një seri ndërhyrjesh sporadike në rrjetet sociale. Për të, fjala nuk është reagim instinktiv, por përgjegjësi. Nuk është thjesht koment, por qëndrim. Dhe pikërisht prej kësaj nevoje për ta institucionalizuar zërin, për ta kthyer në një hapësirë të qëndrueshme dialogu, lind Podcasti “Allishverishi”.

Kjo është dritarja e re mediatike përmes së cilës Luca synon të artikulojë jo vetëm mendim, por edhe model komunikimi. “Podcasti Allishverishi nis rrugëtimin simpatik dhe emblematik më 6 mars 2026. Ju klikoni, shikoni e komentoni se për të tjerat kujdesemi ne!”, shkruan ai në prezantimin e promos. Një ftesë e drejtpërdrejtë, pa retorikë të zbukuruar, por me tonin karakteristik që e ka bërë të dallueshëm në çdo dalje publike.

“Allishverishi” nuk është një eksperiment i zakonshëm mediatik. Ai ndërtohet mbi një treshe figurash që, secila në mënyrën e vet, ka krijuar profil të fortë publik: Gjergj Luca, Bled Mane dhe Ilir Demaliaj (Syçi). Tre temperamente, tre energji, tre mënyra të të menduarit që, të vendosura në të njëjtën tryezë, premtojnë jo konformizëm, por ballafaqim. Jo rehati, por debat. Jo dakordësi të sforcuar, por tension krijues.

Këtë herë, Luca nuk vjen si individ që reagon nga jashtë sistemit mediatik, por si pjesë e një tandemi editorial që synon të krijojë një hapësirë të re ndikimi. Përkrah Manes dhe Demaliajt, ai kërkon të rrëmbejë një terren ku fjala të mos jetë dekor, por instrument. Një hapësirë ku dialogu të jetë i drejtpërdrejtë, pa filtra interesash, pa autocensurë të imponuar.
Podcasti “Allishverishi” synon të imponojë një zë të pakompromis në vetëdijen e opinionit shqiptar. Një zë që nuk mjaftohet me retorikë të konsumuar, por kërkon të artikulojë përgjegjësi, transparencë dhe të vërteta që shpesh shmangen për shkak të komoditetit apo presioneve të padukshme. Në këtë kuptim, ai nuk është vetëm format mediatik; është një provokim ndaj rutinës së komunikimit publik.

Swiss Digital Desktop Reklama

Edhe përzgjedhja e të ftuarve pritet të thyejë skemat klasike. Qëllimi nuk është intervista e butë, as promovimi i kontrolluar i imazhit, por krijimi i një hapësire ku i ftuari të ndihet i lirë të flasë – ndoshta edhe atë që diku tjetër nuk ka mundur, ose nuk i është lejuar, sepse prek interesa dhe prish qetësi të rreme.
Nuk është rastësi që kjo nismë lidhet me Fish City, një qytezë që Luca e ka shndërruar në simbol të disiplinës, punës dhe sfidës së përditshme. Synimi është që Fish City të mos mbetet vetëm qyteti i punës, por të kthehet edhe në epiqendrën e një mediaje të lirë, kurajoze dhe pa kompromis,një laborator i fjalës së drejtpërdrejtë.
Mes stilit frontal të Lucës dhe energjisë polemizuese të Manes e Demaliajt, “Allishverishi” premton më shumë se komunikim të drejtpërdrejtë dhe reagim të atypëratyshëm. Premton prapaskena, rrëfime personale, histori suksesi dhe dështimi, analiza pa kozmetikë. Gjithçka e vendosur në një prizëm që nuk kërkon të manipulojë perceptimin, por të dëshmojë realitetin.
“Allishverishi” synon të shndërrohet në një kulturë të re bisede, pa patetikë, pa frikë, me respekt për inteligjencën e publikut dhe me bindjen se e vërteta nuk ka arsye t’i trembet dritës.
Dhe ja, starti është dhënë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Më 6 mars, “varka” e “Allishverishi” nis lundrimin e saj – jo në ujëra të qeta, por aty ku dallgët provojnë sfidues çdo kapiten.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?