Gjergj Luca përplaset ashpër në një betejë faktesh me Sali Berishën
Sipërmarrësi Gjergj Luca nuk është nga ata që e zgjedhin heshtjen si strategji. Në çdo rast kur ndjen se vihet në diskutim integriteti i punës së tij, ai përgjigjet me atë që e konsideron armën më të fortë, faktin. Dhe kur përballë ka sërish Sali Berisha, kryetarin e Partisë Demokratike, përplasja merr trajtën e një debati publik që tejkalon personalen dhe hyn në territorin e narrativës politike.
Luca e ka ndërtuar profilin e tij si një sipërmarrës që ka investuar aty ku të tjerët shihnin vetëm rrënoja, në struktura të braktisura, në sektorë të lënë në harresë, në “kufoma” ekonomike që i ka rikthyer në jetë, duke i shndërruar në burime punësimi, prodhimi dhe konkurrueshmërie. Për të, suksesi nuk është vetëm tregues financiar, por dëshmi e një modeli që mbështetet mbi investim, risk dhe disiplinë tregu.
Akuza e Berishës, sipas së cilës Luca ndiqet në pesë shtete, u kundërpërgjigj jo me deklarata abstrakte, por me një akt simbolik, ai publikoi pasaportën e tij, me vula hyrje-dalje nga vende të ndryshme, si dhe vizën amerikane të biznesit, një status që, sipas tij, e përfitojnë vetëm ata që plotësojnë kritere të qarta ligjore dhe ekonomike. Në këtë mënyrë, ai kërkoi ta zhvendosë debatin nga insinuatat drejt dokumentit.
Në reagimin e tij publik, Luca përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë, madje sfiduese: “Sali efendi që nuk le pa përgojuar njeri! Jam ujk i vjetër i tokës, i detit dhe i oqeanit. Nuk e ndal askush Gjergj Lucën në misionin dhe në punët e tij të ndershme me të cilat paguaj taksa dhe me këto taksa ha bukë ti dhe çeta jote e shpifësve!”
Kjo retorikë e fortë synon të krijojë kontrastin mes “punës dhe taksave” nga njëra anë, dhe “shpifjes si kapital politik” nga ana tjetër. Ai i kujton Berishës lidhje të vjetra familjare, “të kam edhe mik të babës”, duke e vendosur konfliktin jo vetëm në plan institucional, por edhe në një dimension personal e simbolik.
Referenca ndaj “Foltore”-s, platformës politike të përdorur nga Berisha për komunikim publik, shoqërohet me një këshillë ironike, të filtrohen pëshpëritjet, thashethemet dhe informatorët që, sipas Lucës, ushqejnë kryetarin e opozitës me akuza të pabazuara për këdo që është “faktor” në ekonomi apo shoqëri.
Në thelb, Luca kërkon një ndryshim paradigme në opozitarizëm. Sipas tij, opozita nuk mund të ndërtohet mbi shpifje, trillime apo retorikë përçarëse, por mbi argument, program dhe konkurrencë idesh. Ai e sfidon Berishën të ndërtojë një opozitë institucionale, të shëndoshë, që përballet me qeverinë përmes alternativave konkrete, jo përmes ndezjes së konfliktit dhe simbolikës së molotovëve.
Kjo përplasje nuk është thjesht një duel deklaratash mes një sipërmarrësi dhe një lideri politik. Ajo reflekton tensionin e vazhdueshëm mes biznesit dhe politikës në Shqipëri.
Në fund, beteja e tyre nuk është vetëm për reputacionin personal. Është për narrativën, a ndërtohet legjitimiteti mbi punën dhe dokumentin, apo mbi dyshimin dhe akuzën? Dhe kjo është një pyetje që tejkalon individët, duke prekur vetë kulturën e debatit publik.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

