Gjergj Luca reagoi ashpër kundër politikës së molotovëve që kërkon të vrasë ëndrrën tonë evropiane
Nga Albert Vataj
Në një kohë kur shoqëria shqiptare gjendet mes pritshmërive për zhvillim dhe tundimit të konfliktit politik, reagimi i Gjergj Lucës erdhi si një thirrje e drejtpërdrejtë dhe e fuqishme për kthjelltësi dhe vendosmëri për të reaguar. Ai nuk foli si politikan, por si sipërmarrës që e njeh çmimin e punës, të rrezikut dhe të përgjegjësisë. Duke denoncuar hapur “politikën e molotovëve”, atë kulturë që ushqehet me përçarje, dhunë simbolike dhe sabotim, Luca paralajmëroi se rruga e bllokadave nuk na çon drejt Evropës, por na largon prej saj. Përballë zhurmës së përditshme, ai vuri theksin te një e vërtetë themelore, ëndrra jonë evropiane nuk mbrohet me zjarr e rrëfim apokaliptik, por me punë, stabilitet, institucione funksionale dhe një etikë publike që ndërton, jo shkatërron.
Si në çdo mbrëmje të fundvitit, edhe këtë herë Gjergj Luca mblodhi punëtorët e fabrikave të “Rozafës” për të komunikuar drejtpërdrejt me ta, për t’u shprehur mirënjohje dhe respekt për përkushtimin, disiplinën dhe përgjegjshmërinë që tregojnë në të gjitha hallkat e sipërmarrjes. Ishte një takim që nuk synonte thjesht ceremonialin, por një dialog të sinqertë me njerëzit e punës, me ata që çdo ditë mbajnë mbi supe një pjesë thelbësore të ekonomisë reale.
Luca e shfrytëzoi këtë moment për t’i vënë përballë një realiteti të shumëfishtë, një pjesë e stafit ishte aty, ndërsa të tjerët vijonin detyrën nëpër pika shërbimi, në det, në linjat e prodhimit, kudo ku puna nuk ndalet. Ky kontrast shërbeu si metaforë për një filozofi të tërë, ekonomia e gjallë nuk pushon, sepse pas saj qëndron mundi, sakrifica dhe përgjegjësia e njerëzve që zgjedhin të ndërtojnë.
Duke folur hapur, Luca vuri në peshore njeriun e punës përballë realitetit të zhurmshëm të “tallavasë” së rrjeteve sociale dhe gërthitjeve të një kulture korrupsioni e demagogjie politike, që tenton të dominojë hapësirën publike. Ai e artikuloi qartë se modeli i “Rozafës” nuk ka të bëjë me spektaklin, por me prodhimin, eksportin, konkurrueshmërinë dhe një ethos pune që i jep kuptim fitimit, debatit dhe gëzimit të përbashkët.
“Ne te Rozafa punojmë, prodhojmë, eksportojmë, fitojmë, debatojmë, protestojmë, vallëzojmë dhe gëzojmë… Gëzuar Vitin e Ri me prodhime shqiptare, gëzuar Shqipëria evropiane!”, shkroi Luca në postimin shoqëruar me video, duke shtrirë mesazhin përtej një festimi sezonal drejt një reflektimi më të thellë mbi rrugëtimin e vendit.
Në fjalën e tij, ai u ndal me ashpërsi, por edhe me sinqeritet, te vijimësia e politikës së konfliktit, politika e molotovëve, e bllokadave, e retorikës që e sheh sabotimin e rrugës drejt Evropës si formën e vetme të bërit politikë. Luca paralajmëroi se kjo logjikë prodhon vetëm humbje kolektive, ajo e dëmton klimën shoqërore, shkatërron besimin dhe rrezikon të ardhmen evropiane të brezave të rinj.
Ai ngriti zërin jo për të bërë polemikë, por për të artikuluar një shqetësim të prekshëm: nuk duhet t’u lejojmë atyre që nxisin urrejtje dhe përçarje të na grabisin perspektivën, të vrasin të sotmen dhe nesërmen e fëmijëve tanë. Përballë kulturës së konfliktit, ai propozoi kulturën e punës, të përgjegjësisë dhe të besimit në vlera që ndërtojnë.
Kjo mbrëmje e fundvitit, përtej ceremonialit të saj, u shndërrua në një manifest të qartë: Shqipëria ecën përpara kur njeriu i punës vihet në qendër, kur politika shërben, jo pengon, dhe kur prodhimi e eksporti bëhen gjuhë dinjiteti në raport me botën.
KOHA JONË SONDAZH

