Gjergj Luca shpërthyes dhe i vërtetë, në Podcast përballë Grida Dumës

Nga Albert Vataj
Rrëfim i pazakontë për humbjet, ringritjen dhe të vërtetat e një njeriu që nuk di të fshihet pas fjalëve.

Gjergj Luca, i ftuar në “Grida Duma Podcast”, ka sjellë një nga daljet e tij më të forta dhe më të vërteta publike. Ai ka rrëfyer me një sinqeritet të rrallë periudhën dramatike kur humbi gjithçka në botën e kazinove, momentin e falimentimit në kulmin e karrierës, kur gjithçka dukej se shuhej përballë tij. Në këtë rrëmujë emocionesh dhe përvojash, Luca rikthen me detaje takimin vendimtar me kryeministrin Edi Rama, udhën e vështirë të rikthimit përmes biznesit të peshkut dhe etapat e një ringritjeje që nuk ishte as e thjeshtë, as e menjëhershme.

Gjergj Luca rrëfen dramën e kazinove, pasurinë nga peshku dhe paktin me Ramën

Ai flet pa doreza për lidhjet me politikën, për marrëdhëniet me Ramën dhe Berishën, për miqësitë, për distancat, për të vërtetat që shpesh në këtë vend i mbajnë mbyllur pas dyerve. Luca shpalos versionin e tij të njeriut që, edhe në marrëdhënie me pushtetin, nuk heziton të thotë atë që mendon, të parë gjithmonë nga prizmi i ndërgjegjes personale dhe lirisë për të folur.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në këtë përballje, ai erdhi siç është: shpërthyes, i drejtpërdrejtë, pa rrumbullakosje fjalësh. Luca rrëfen rrugëtimin nga fillimet e vështira si sfidant i fatit, tek ngritja si sipërmarrës i guximshëm që nuk njeh kompromis me vetveten. Tregon për biznesin, për sfidat, për dështimet që e formësuan, për rikthimin që e rilindi. Ai flet edhe si prind, si familjar që ka kaluar stuhi dhe ka mbajtur peshën e gabimeve e përgjegjësive; si një shpirt emocional, që ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, beson te puna, te etika dhe te e vërteta.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ky është Gjergj Luca që publiku e njeh, por që rrallë e ka dëgjuar kaq të çlirët: një njeri që ka rrëzuar mite e ka ngritur të reja, një karakter që kundërshton stagnimin dhe një zë që nuk i shmanget as të kaluarës, as të ardhmes. Në podcastin me Grida Dumën, ai la gjurmën e një rrëfimi që nuk kërkon të pëlqehet, por të kuptohet.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?