Ja gjurmët shqiptare që zbulon Gjergj Luca në Libinë e historive legjendare të Barbarozës
Në vijim të vizitës së tij në Afrikën e Veriut, sipërmarrësi Gjergj Luca nuk ndalet te kurioziteti turistik apo ekzotika e vendeve, por zbret në një shtresë më të thellë: kujtesën historike dhe respektin që ende sot ruhet për shqiptarët në brigjet libiane. Ky respekt nuk është rastësor. Ai mbështetet mbi një histori të hershme, të ngulitur në shekuj, ku shqiptarët shfaqen si aktorë vendimtarë në fatin politik dhe ushtarak të kësaj hapësire mesdhetare.
Në zemër të kësaj historie qëndron epoka e Barbarozës, simbol i rezistencës osmane ndaj ekspansionit spanjoll dhe portugez në Mesdhe. Pikërisht në këtë përballje të madhe, shqiptarët zënë një vend të veçantë. Ata nuk ishin thjesht pjesë periferike e flotës apo e garnizoneve, por trupë elitare, detarë, luftëtarë dhe komandantë të besuar, mbi të cilët u mbështet mbijetesa dhe më pas konsolidimi i Libisë osmane si hapësirë e lirë nga dominimi iberik.
“Këtë video e kam bërë me shpirt, e kam bërë me sinqeritetin e zemrës”, shkruan Gjergj Luca, duke e nisur rrëfimin e tij me një evokim të historisë dhe duke u ndalur te një plagë që e shoqëron vazhdimisht fatin shqiptar: largimi shekull pas shekulli i elitave, i atyre që kanë ndërtuar, mbrojtur dhe administruar hapësira të huaja, shpesh në dëm të atdheut të tyre.
Libia e sotme, për Gjergj Lucën, nuk është thjesht një territor. Është një dëshmi e gjallë se shqiptarët kanë qenë të pranishëm dhe të respektuar shumë përtej kufijve të tyre. “Jam në Libi, në veri të Afrikës, këtu ku gjurmët tona vazhdojnë prej 500 vitesh!”, shkruan ai, duke e shndërruar udhëtimin në një akt dëshmie dhe rikujtese.
Këto gjurmë nuk lexohen vetëm në arkiva apo kronika osmane, por edhe në kujtesën popullore, në toponimi, në histori të përcjella gojarisht dhe në një konsideratë që i njeh shqiptarët si forcë besnike, të guximshme dhe vendimtare në momentet kritike të historisë libiane. Është një histori që nuk flet për pushtim, por për bashkëjetesë perandorake, për një kontribut që u bë pjesë e fatit të një populli tjetër.
Rrëfimi i Gjergj Lucës e sjell këtë të shkuar jo si nostalgji, por si thirrje për vetëdije, shqiptarët kanë qenë dikur faktor në histori të mëdha, sepse kanë ditur të kultivojnë elitën, dijen, guximin dhe përgjegjësinë. Pyetja që mbetet pezull është nëse sot dimë ta njohim, ta vlerësojmë dhe ta mbajmë gjallë këtë trashëgimi, jo vetëm si krenari, por si mësim për të ardhmen.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

