Nuk ndalet Gjergj Luca, brenda dy javësh, edhe Elbasani do të ketë “Allishverishin” e vet

Nga Albert Vataj
Gjergj Luca është ndër ata njerëz që e jetojnë punën si pasion dhe që çdo ditë i japin kuptim fjalës “sipërmarrës”. Ai nuk është nga ata që ndalen te fjala apo premtimi, e njeh vetëm ritmin e veprimit, të krijimit, të përkushtimit të pandalshëm. Kudo që të ndodhesh, e gjen gjithnjë në ndonjë kantier të ri, mes punëtorëve dhe ideve që marrin formë, duke përveshur mëngët e duke dhënë shembullin e njeriut që ofrohet me duar e me shpirt.

Pas suksesit të “Allishverishit” në Tiranë, Luca e zhvendos tashmë këtë frymë pune dhe shërbimi në zemër të Shqipërisë, në Elbasan. Brenda dy javëve, qyteti do të ketë “Allishverishin” e vet, një hapësirë që shkon përtej konceptit të një restoranti, një ambient ku përfshihet e gjithë gama e produkteve të detit të firmës “Rozafa”, me standardet që kanë bërë emër kudo, pa harruar fasadat e këtij allishverishi ku do të jenë të pranishëm përmes pikturave personazhe të politikës dhe medias, dhe jo vetëm.
Synimi është i qartë, çdo qytet shqiptar të ketë “Allishverishin” e vet, një pikë referimi për cilësi, shije dhe identitet kombëtar në kuzhinë.
Në videon e publikuar nga kantieri i punimeve në Elbasan, Luca shfaqet mes punëtorëve, i drejtpërdrejtë dhe me humorin e tij karakteristik, duke thënë: “Na marrin shumë në gojë ne elbasanllinjtë, ndaj e kemi për detyrë të bëjmë edhe ne një ‘Allishverish’ që t’u mbyllim gojën me punë!”
Dhe me stilin e tij të njohur, shton: “Ju vazhdoni shani e mallkoni me komente në rrjete sociale, ndërkohë unë vazhdoj me investime. Restoranti Allishverish 2 hap dyert së shpejti në Elbasan, ndaj mos harroni lugën në brez dhe ju mirëpres!”
Ky mesazh është më shumë se një promovim. Është një deklaratë filozofie pune, qëndrimi i një njeriu që nuk reagon ndaj negativitetit me fjalë, por me vepra. “Rozafa”, kompania që ai ka ngritur me përkushtim e që sot është një nga simbolet e prodhimit shqiptar, lufton cinizmin dhe mosbesimin jo me retorikë, por me investime konkrete, që krijojnë vende pune, rrisin standardet e tregut dhe ngrenë lart produktet “Made in Albania”.
“Allishverishi” në Elbasan nuk është thjesht një hapje e re restoranti, por një tjetër kapitull në historinë e një sipërmarrjeje që sfidon skepticizmin me rezultate. Është dëshmia se vizioni i Gjergj Lucës përfshin jo vetëm ushqimin e mirë, por edhe një filozofi shërbimi që i kthen qytetet shqiptare në pika energjie, bashkimi dhe krenarie.
Në çdo linjë shërimi, në çdo investim të “Rozafës”, gjendet e njëjta frymë, besimi se puna e ndershme, cilësia dhe përkushtimi janë përgjigjja më e mirë ndaj çdo mosbesimi. Dhe ndërsa të tjerët mjaftohen me fjalë, Luca vazhdon të ndërtojë, duke e bërë realitet idenë se suksesi, si peshku i detit që ai sjell në tryezat tona, kërkon të mbahet gjithmonë i freskët, me ide të reja, me guxim dhe me dashuri për vendin.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?