Provokon Gjergj Luca: “Foryou”… This is a miracle of Freedom (Kjo është një mrekulli e Lirisë)

Gjergj Luca nuk ndalet së bëri gjërat në mënyrën e tij, të drejtpërdrejtë, të pazbutur, provokuese dhe thellësisht personale. Ai nuk kërkon konsensus, as pëlqim; ai kërkon reagim. Dhe reagimi, qoftë edhe kundërshtues, është pjesë e lojës së tij komunikative. Ironia dhe cinizmi, sarkazma dhe parodia, gërshetohen në një formë që shkon përtej humorit të thjeshtë, duke marrë trajtën e një grotesku të vetëdijshëm, ku mesazhi është më i rëndësishëm se forma.

Në videon e fundit, ku shfaqet krah një punonjëseje të Rozafës, Luca ndërton një skenë që në pamje të parë duket e çlirët, pothuaj naive, por që mbart një ngarkesë simbolike të qartë. Me frazën ironike: “Bullon Bubullima, bubulloj edhe unë… Nostalgji për kohët e shkuara!”, ai luan me kujtesën kolektive, me sloganin, me retorikën e zhurmshme politike që shpesh prodhon më shumë jehonë sesa përmbajtje.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kur thotë: “Foryou, kjo është një mrekulli e Lirisë”, Luca nuk po shpall një dogmë, por po e zhvesh termin “liri” nga solemniteti hipokrit me të cilin politika e ka trajtuar dhe konsumuar atë. Këtu liria nuk paraqitet si koncept abstrakt apo si premtim elektoral, por si akt i vogël, i prekshëm, i përditshëm, si e drejtë për të folur, për të qeshur, për të ironizuar pushtetin dhe për ta kthyer atë në objekt satire.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në këtë kuptim, “Foryou” nuk është thjesht një produkt, as një slogan. Ai shndërrohet në një mjet diskursiv, në një pretekst për të sfiduar narrativat e gatshme dhe për të rikujtuar se liria nuk është dhuratë, por praktikë. Një praktikë që mund të jetë e papërsosur, e zhurmshme, madje edhe provokuese, por pikërisht për këtë arsye, autentike.

Gjergj Luca mbetet një figurë që nuk kërkon të pajtojë palë, por të trazojë ujërat. Dhe në këtë trazim, mes humorit dhe thumbit, mes parodisë dhe kritikës, ai ndërton një gjuhë të vetën: një gjuhë që flet për lirinë jo si “mrekulli” e shpallur nga politika, por si një akt personal, i marrë përsipër, pa leje dhe pa protokoll.

Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?