Rrezikojnë verbimin/ Klinika merr përsipër operacionin 25 mijë euro për 3 fëmijët dhe nënën e tyre

Historia e familjes Senkollari na trishtoi të gjithëve. Të tre djemtë vuajnë nga një sëmundje e syve, e cila sa vjen edhe i rrezikon shikimin. Bëhet fjalë për një sëmundje gjenetike, të trashëguar nga nëna e tyre, Ornela. Edhe gjendja e saj është shumë e rënduar, ndërsa shikimi sa vjen edhe i dobësohet.

“Kur jam në diell nuk shoh dot, vetëm kur jam në errësirë shoh më mirë. Jam mësuar me errësirën, nuk jam mësuar me dritën,” ishin këto fjalët e Albanit, 7-vjeçarit gjatë thirrjes për ndihmë që ata bën.

Të tre fëmijët, po ashtu edhe Ornela kanë nevojë të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale, sa më shpejt. Pasi në të kundërt ata do të shkojnë drejt verbimit të plotë. Por, gjendja e tyre ekonomike ia vështirsonte shumë realizimin e operacioneve. Ndaj, ata kërkuan ndihmën e gjithë shqiptarëve.

“Fundjavë Ndryshe” iu bashkua thirrjes së familjes dhe në një kohë të shkurtër erdhi edhe lajmi i shumëpritur. Klinika e Syrit Internacional mori përsipër të kryejë operacionin me një vlerë prej 25.000€ për 3 fëmijët dhe nënën e tyre.

Ndërsa i janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme, shumë shpejt priten t’i nënshtrohen edhe procedurave mjekësore.

Lajmi u dha nga mjekja okuliste pranë Klinikës së Syrit Internacional, Felisia Gjyrdedi.

“Nga ekzaminimet paraprake të kryera, jemi besimplotë se do të kemi një prognozë të mirë. Do të bëhet ndjekja dhe më pas sipas nevojës mund të jetë e nevojshme edhe fuqizimi i mëtejshëm me syze. Rasti është i vështirë, por gjendja në të cilën familja ndodhet, ishte e domosdoshme të mos qëndronim pasiv, ” u shpreh Gjyrdedi, teksa ishte e ftuar në emisionin “Historia e Fundjavës”.

Bamirësia nuk të varfëron! Për të dhënë kontributin tuaj për kauzat e “Fundjavë Ndryshe”, klikoni këtu.

SHKARKO APP