Të rinjtë “shuajnë” konfliktet në mbarë botën! Kjo video e studentit shqiptar kthehet në virale

Atë që nuk arrin dot ta bëjë politika, shuarjen e konflikteve aktuale e atyre historike mes vendeve të ndryshme në botë, disa të rinj kanë arritur ta bëjnë mjaft mirë duke nxjerr ne pah tolerancën që ekziston mes tyre pavarësisht se çfarë ndodh në arenën politike ndërkombëtare.

Po flasim pikërisht për videon e realizuar nga organizata e studentëve të huaj, VUB ISP (International Student Platform) në Bruksel, e cila po bën xhiron në mediat sociale dhe ato belge.

“Hug Diversity, Hug the World” ose “Përqafo Diversitetin, Përqafo Botën” është një projekt i shpalosur në këtë video nga studentë të Universitetit të Lirë të Brukselit, VUB që vijnë nga 12 shtete të ndryshme të katër kontinenteve.

Duke vendosur që të lënë mënjane historinë dhe konfliktet e vende nga vijnë, shikojmë që të përqafohen të rinjtë nga Shqipëria dhe Serbia apo nga Turqia dhe Siria, por dhe vendeve të Lindjes së Mesme e më tej.

Kjo video ka pikërisht si qëllim të vë në dukje tolerancën që ekziston mes studentëve që studiojnë, punojnë dhe jetojnë në kampusin e VUB.

Ideatorët e realizimit të kësaj videoje që në sfond ka tingujt e kitarës në këngën e famshme të John Lennon “Imagine”, janë i riu shqiptar Arlind Cara dhe studentja Anne Yvonne Saliba nga Gjermania.

Cara është një nga themeluesit e Platformës së Studentëve Ndërkombëtar në këtë universitet dhe njëkohësisht ndjek studimet doktorale pranë departamentit të komunikimit dhe të gazetarisë në VUB. I riu shqiptar i angazhuar në jetën universitare të VUB, hyri vitin e shkuar në historinë e universitetit të njohur belg si i pari student i huaj që mban një fjalim në hapjen e vitit akademik.

Për projektin e shkurtër filmik, i cili ka zgjatur rreth 6 muaj, janë angazhuar një grup xhirimi profesionist; regjisori Hans Vanderwijngarden, kameramani Jean Mari Werion, tekniku audio Georgios Patsis dhe animuesja Leen Asselman. Kjo video është transmetuar në një nga sallat kryesore të kulturës në Bruksel e Belgjikë në shtator, salla “Bozar”, para një audience prej 2500 personash. /A.H – Express/

SHKARKO APP