Vizita në Amerikë/ Kryemadhi takime me senatorë dhe komunitetin shqiptar në SHBA

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi këto ditë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zhvilloi takime me senatorë,  kongresmenë, dhe diplomatë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Një takim i veçantë i kryetares së LSI ishte ai me senatorin Gary Peters. Senator i Miçiganit është i njohur për kontributin e tij për Shqipërinë. Ai është bashkë drejtues “The Albanian Caucus” në Senatin Amerikan, një grupim politik ku bëjnë pjesë politikanë republikanë dhe demokratë dhe që ka si qëllim mbështetjen e Shqipërisë. Me senatorin republikan  Gary Peters, Kryemadhi diskutoi për zhvillimet politike në Shqipëri dhe rritjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

Gjatë qëndrimit në SHBA, kryetarja e LSI-së zhvilloi një takim dhe me ambasadorin e SHBA Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore, John Richmond. Me të ambasadorin special të Donald Trump, Kryemadhi diskutoi për sfidat e Shqipërisë në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe politikat në mbështetje të grave dhe fëmijëve që janë viktima të këtij trafiku.

Një moment i veçantë i vizitës së Monika Kryemadhit në SHBA ishte takimi me komunitetin shqiptar në SHBA. Në Shtetin e Nju Jorkut Kryemadhi mori pjesë një bashkëbisedim me më shumë se 300 përfaqësues të komunitetit shqiptar që jeton në Amerikan. Në bisedën me të rinjtë që kanë emigruar në SHBA, Kryemadhi prezantoi dhe nismën e LSI-së që i krijon mundësi diasporës të investojë në Atdhe.

Nisma e quajtur “Super Brain”, synon të krijojë lehtësira për të gjithë shqiptarët e Diasporës që kanë ide, plane bizesi dhe projekte të cilat mund të realizohen në Shqipëri. Kryemadhi tha se të gjithë të rinjtë që jetojnë në SHBA dhe vende të tjera, të cilët duan të investojnë në Shqipëri do të kenë ZERO taksa. Kryemadhi tha se do të jetë një fitore e madhe për vendin, nëse bizneset amerikane me pronarë shqiptarë do të vijnë në Shqipëri për investuar. Ndërsa detyrimi i qeverisë shqiptare është që të mos i rëndojë me taksim të dyfishtë, por të krijojë kushte që ata të sjellin kapitalet ekonomike dhe përvojën e çmuar të biznesit amerikan në Shqipëri.

Në vijim të vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka ndaluar në shtetin e Nju Xhersit, ku jeton një komunitet i madh shqiptaresh. Kryemadhi vizitoi Qendrën Kulturore Shqiptare Amerikane në Riverdale. Ajo u prit nga Presidenti i Qendrës Kulturore Shqiptare Amerikane, Burim Zhuta dhe drejtuesit e qendrës. Kryetarja e LSI dhuroi për këtë qendër disa libra në gjuhën shqipe në mënyrë që fëmijët shqiptarë në Amerikë të mos humbasin lidhjen me atdheun dhe më gjuhën amtare.

 

 

 

SHKARKO APP