Home Kultura Zef Toçit, pi...

Zef Toçit, piktori i trajtimit të figurave në frymën e dufit surreal

152
0

Nga Prof. Dr. Hivzi Muharremi

Një prezantim i shkurtër për rrugën jetësore të piktorit Zef Toçi i cili para pak ditesh ka ndërruar jetë. Që nga haperimet e para drejtë artit ai pa ndërprerje do t’i qaset realizimit të veprave e atë duke filluar nga shkolla e mesme e deri në momentin kur vdekja e rrëmbeu piktorin në moshën tetëdhjet vjeçare. Pra, deri në frymën e fundit të jetës ai me devocion dhe dashuri të madhe ndaj pikturës ka realizuar një numër të madh të veprave të cilat padyshim, piktorin e bëjnë të pavdekshëm.

Lindi në Mitrovicë por tërë jetën që nga mosha fëmijërore e deri në vdekje e kaloi-Jetoi në qytetin e bukur të Prizrenit, në qytetin historik të trashëgimisë kulturo-historike që për shumë krijues të brezave më të hershme të cilët kanë qëndruar për një kohë më të gjatë apo të shkurtër iu është bërë burim frymëzimi për sendërtimin e veprave artistike nga të gjitha vokacionet figurative-kreative. Këtë traditë të krijuesëve si vendor poashtu edhe të tjerëve që gravitonin nga viset dhe qytetet tjera Zef Toçi me përkushtim të madh do ta vazhdojë dhe trajtojë sidomos nga vitet e shtatëdhjeta e deri në momentin kur peneli i tij nuk ishte më në gjendje që të vazhdoj ritmin krijues të pikturimit.

Zef Toçi i takon brezit të vjetër të krijuesëve figurativ ku studioi në disa qendra të artit si në Prishtinë, Bruksel, Beograd. Nga këto tri shkolla, ai do ta rifilloj edhe krijimtarinë e tij mjaftë të bujshme pikturale me ndikime dhe frymëzime nga tri qendrat kryesore. Talenti i tij dhe puna intensive e sistematike më së miri shihet kur në vitin 1972, derisa ishte akoma student i Akademisë së Arteve të bukura në Bruksel, në ekspozitën kolektive u nderua me çmimin më të lartë, Shpërblimin e studentit më të mirë me “Medalja e argjent”. Padyshim, që ky ishte një moment vendimtar gjatë karierës së tij jo vetëm shkollore e akademike por gjatë tërë jetës do i mbetet moto dhe nxitje për punë kreative dhe artistike.

Piktori Zef Toçi, ishte i frymëzuar sikurse edhe artistët tjerë të vendeve apo qendrave të tjera evropiane nga vendi dhe ambienti ku jetonte dhe ku i kishte kaluar ditët më të lumtura fëmijërore e që pas kthimit nga Akademitë e lartëcekura shpirti i tij emocional dhe mjaftë i ndieshëm filloi të shpalosi nga imagjinata e tij të gjitha motivet më karakteristike të qytetit historik, me tradita dhe kulturë që nga periudhat e ndryshme historike e deri me sot. Një përjetësim i tillë ndikoi dukshëm tek piktori i cili si një kronist në mënyrë profesionale pikturale filloi t’i qaset me shpirt dhe ndjenja këtyre imazheve. Gjithnjë në objektivin e tij shpirtëror ishte ngjyra dhe forma, ishin dy shtylla kryesore në spektrin figurativ, ku njera tjetrës gjithnjë i ishin në disponim.

Në të shumtën e pikturave nga kjo periudhë do të dominojnë trajtat e natyrës së gjallë dhe të qetë me shprehje poetike dhe mbireale, ndërsa portretet, peizazhet dhe kompozimet i shquan harmonia tonale me akcente të veçanta. Gjatë viteve të nëntëdhjeta gradualisht fillon të ndryshoj edhe frymëzimi i piktorit. Tani, rradhiten temat me imazhe tejet dramatike, veçanërisht spikasin elementet simbolike të një imagjinate dhe fantazije të theksuar si në aspektin përmbajtësor po ashtu edhe figurativ.

Piktura e parë që e ka punuar pas përfundimit të luftës ka qenë ajo e komandantit legjendar Adem Jashari. Figurën e lartëson dhe në mënyrë stoike qëndron në tërë hapësirën kompozicionale, ai është stoik i pamposhtur dhe me një qëndrim ballhapur ndaj gjitha atyre sfidave që i përjetoi deri në shuarrjen e jetës së tij duke e mbrojtur tabanin e shtetit të vet, shtetit të Kosovës.

Në fazën e fundit të artistit dukshën fillojnë të shpërfaqen elementet surreale, përkatësisht trajtimi i figurave në frymën e dufit surreal në hapësirën kolosale të kompozimit, ku tërësisht gama pikturale pëson një metamorfozë, një ndryshim rrënjësor nga punimet e mëhershme të realizuara që nga ambientet e peizazheve e deri tek ekzodi dhe skenave tjera dramatike që ishin prezente afro dy dekada në shpirtin e tij të rrënjosur dhe të realizuara me një stil dhe frymë krejtë më ndryshe artistike e figurative. Ajo krejt më ndryshe dominon në vet përmbajtjen dhe anën estetike të veprave të piktorit të realizuara kryesisht në dekadën e fundit.

Figurat kryesisht spikasin me një synim të transponimit drejtë pjesës qiellore, ku në shikim të parë dukën sikur gëlltiten nga figurat e pjesëve të larta qiellore. Përveq këtyre formave surreale shpesh ndeshim edhe imazhe nga engjujt ku zakonisht janë hapësirat qiellore dhe zbritja e tyre zakonisht ndodhë para figurave qofshin biblike apo nga jeta e përditshme. Në këtë dikitomi mbarshtrohen edhe ciklet e fundit të kësaj faze e cila padyshim që është një vazhdimësi gjatë tërë opusit krijues të piktorit Zef Toçi.

Zef Toçi, u lind në Mitrovicë. Si fëmijë u vendos në Prizren, ku e kreu Shkollën Fillore dhe Gjimnazin. Në Prishtinë e kreu Shkollen e Lartë Pedagogjike (artin figurativ) më 1966 , ndersa Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura ne Bruksel (Belgjikë) të profesoresha Georgina Iserbyt van Zevenberghen, më 1972, ku edhe u dekorua me shpërblimin “Medalja e argjentë”. Mbaroi studimet postdiplomike në Fakultetin e Arteve në Beograd më 1981. Në fillim punoi në Shkollën Normale të Prizrenit (1967-1971), më pastaj në Printeks, si kreator i tekstileve (1972-1975).

Gjatë viteve 1975-1978 në Akademinë Pedagogjike si profesor i artit figurativ. Nga viti 1982 në Shkollen e Mesme Ekonomike Juridike (Prizren) deri në pension më 2006. Si anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Hapi disa ekspozita personale, në Prizren (1968, 1996), Opati (1968), Beograd (1969) dhe Prishtinë (1972, 2005, 2010). Vdekja e pamshirshme ia ndërpreu ritmin krijues të cilin pandërprer e vazhdoi deri me 21.07. 2021. Veprat e tia më së miri dëshmojnë për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe afirmin e arteve figurative si në Kosovë po ashtu edhe më gjerë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit